“Tragjedia e motrës Hajrie-3”:Nga Boris Miska


Pjesë nga tregimi :”Tragjedia e motrës Hajrie”

Boris Miska

Kreshniku zuri vend diku nga fundi i sallës që po zhurmonte nga zërat e pjesmarrësve.
Donte pak minuta të fillonte punimet konferenca, në dorë mbante ftesën me agjendën, e organizonte akademia dhe instituti i tij, paratë i kishte afruar
ambasada angleze, kishte kafe në pushim dhe në drekë bufe vetëshërbyese.
Studimi i tij ishte pranuar të prezantohej thjeshtë kumtesë, referatet kryesore sipas kartonin do lexoheshin në sencën plenare pas përshëndetjes që do bënte i pari i vendit dhe ambasadori i Mbretërisë së bashkuar.
Meqë drejtorit të ri prej emocioneve i gagaçej fjala, hapjen do e mbante me qetësi akademike këshilltari i tij, ish-pedagogu Maskal Pilo i cili kishte ligjërim më pas.
Tubimi pati konsumuar si zakonisht kohën e vet! Ndërsa dikush lexonte në podjum, të tjerët poshtë në plate bisedonin për gjithëfarë gjërash që s’kishin të bënin fare me sebepin për të cilin ishin ftuar në atë sallë. Disa dilnin jashtë për një telefonatë, cigare a një kafe në hollin poshtë të hotelit luksoz, të tjerë ktheheshin e zinin vendet e mëparshme.
Kreshniku nuk pati lëvizur fare, i kishte dëgjuar me vëmendje të gjitha referatet e kolegeve të zyrës duke sjellë në krahasim prezantimin e tij që do e mbante pas konsumimit të bufesë së afruar nga sebepllinjtë. Në pushim u ul në karrige në tryezën e qarkuar të hotel Tirana, kishte marrë pak ushqim, gjëra të lehta dhe një shishe me ujë. Nuk kishte uri, shpirti dhe stomaku i tij ishin ende në ngopje prej rrugëtimit të gjatë në ndjekje të një legjende, rapsodie. Ndjehej i mbushur, i plotësuar, pati arritur diku, atje ku e kishte vendosur piketën e nervit të studjuesit, tek qëllimi, përmbushja e një misioni.
Askush rreth tij nuk fliste, të gjithë hanin, konsumonin me epsh ushqimin e ziafetit, ashtu siç pak më parë në lavdi patën shqyer dokumenta, ngjarje, data, personazhe, histori, figura e fakte.
Shpirti i tyre ishte bosh, e shprazi gjithë ligësinë si arritje në shkencë, i patën duartrokitur dhe përgëzuar, tash po ngjyenin buzët me yndyrën e ngazëllimit.
Profesor Maskali, ish-pedagogu i drejtorit te ri e kishte shtangur sallën me nxjerrjen në dritë të një dokumenti, një prove, protokollin e regjistrimit të hyrje-daljeve të dragaminës jugosllave prej një ish- baze detare të kohës së Titos në Split.
Me të në dorë mburrej për zbulimin që i pati bërë të vërtetës, kishte përmbysur një ngjarje, faji për incidentin e Korfuzit u mbetej shqiptarëve pa zot, miqtë tanë anglez ishin shfajsuar përfundimisht prej pohimeve të historianit.
Atë që s’pati guxuar ta genjente as Haga e kishte bërë lehtësisisht një shqiptar, ose së paku kështu i ishte shenuar kombësia në regjistrat e gjendjes civile Shëtiti sytë tek mbllaçitjet pasionante të kolegëve, për një moment ndjeu frikë se mos ato gojë të uritura do i’a kafshonin rapsodinë e re, letrat që mbante në çantë, atë ç’ka kishte shkruar për baladën e zbuluar. Përfytyronte si do i’a gëlltisnin Halil Gashin, motrën Hajrie, kanunin, krismat, këngën e orkestruar ndryshe me nota të tjera, me tekst, rapsod, instrument, dëgjues emisionesh, t’ia ngulnin dhëmbët me lehtesi ashtu siç shijohet në fund ëmbëlsira, një kremkaramel apo frutat e vendosura në kanistra të përbashkëta.
U ngrit para s’e ata ta sosnin mosngopjen dhe shkoi në sallën e përgjysmuar ta demostronte i qetë kërkimin e tij.
Poshtë në plate e shoqëronte në heshtja kurioziteti dhe vëmendja e syve të disa miqve të ftuar prej vendeve fqinjë.
Kur ndali së foluri qetësia në sallë qëndroi disa sekonda pezull, duket sa ta shjonte deri në fund ligjërimin e Kreshnikut. Ato pak pëllëmbë të duarve të mbetura në sallë u përplasën butësisht, i ngjanin më shumë respektit, përgëzimit të sinqertë, në kontrast me ovacionet e zjarrta në senacën e parë servile kur salla të verbonte nga shkelqimi i rremë, në hapsirat boshe ku ishin dyndur kameramanë e gazetarë të kronikave kulturore.
Kreshniku konsumoi disa biseda në këmbë rreth temës që pati trajtur, ndaj nuk kishte vënë re që disa hapa pranë po e prisnin për ta përshëndetur tre persona.
Një burrë i vjetër veshur me xhaketë e tirqe të leshta, me qeleshe të bardhë në kokë, i pastër, mbante në dorë një bastun, ndërsa dy të tjerët tregonin një moshë që i përafrohej viteve të tij.
-Tungjatjeta i nderuar Kreshnik, e përshëndeti i pari zotëria i veshur me kostum të zi, dukej që vinte nga diaspora, fliste shqipe të ngjashme me atë të rapsodisë së kënduar shekull më parë.
-Jam Halil Gashi, nipi i atij që i këndohet kënga. Kreshniku, mbeti i shtangur!
I ponjohuri i ardhur nga larg i’u duk se e kishin ngjallur personazhin e tij dhe i’a kishin prurë ta prekte të gjallë, të veshur ndryshe, me kostum e kollare, pikërisht në atë sallë ku ai pati kumtuar të ndryshmen këngë për të.
Qetësia e të folurit e m’piu Kreshikun, i ngjau si ftohtësia e thirrjes së Halilit të tij në rapsodi, ‘tungjatjeta po i thot zotni’!
Nuk u tremb por instiktivish verifikoi pozicionin e duarve, mos ai do nxirrte nga brezi diçka, do i’a drejtonte në gjoks hekurin, një krisëm e vetme dhe do shembej në tokë së bashku me studimin e vet. Mendoi fyerjen, lëndimin që mund t’u kishte shkaktuar, ndryshe pse ato u shfaqën aq pa pritur në sallën e konferencës!
Ndoshta ata kishin ardhur për t’u hakmarrë, për të vënë në vend një amanet!
Dikush nga bota e përtejme i kishte sjellë aty, pikërisht tek tubimi ku guxoi të thoshte tjetrën histori, ai u kishte trazuar qetësinë e dekadave, u’a kishte prishur këngën, legjendën, të kaluarën, trashëgiminë, mburrjen. Pa ditur se çfarë po bënte pati hyrë midis tyre si të futeshe mes dy kreshnikësh që luftojnë për vdekje.
-Po marrëzon, e qetesoi shpejt vetes!
-Ti je studjues, ç’punë ka kanuni me ty, ti vetëm ke nxjerrë në dritë një të vërtetë. Në qoftë se ajo doli ndryshe është thjeshtë një hulumtim, kërkim shkencor.
-A vritet historiani!
Nuk pati qëllim të fyente askënd, me çfarë do i’a merrnin jetën, me lapsin që mbante në dore, me kumtesën!
Ai vetëm mendje e letër kishte konsumuar.
Ato nuk të rrëzonin në tokë, s’të vrisnin, prej tyre nuk dilte gjak, ishin mjete paqësore.
Thellë në ndërgjegje po e përballte veten me kanunin duke u rrekur të ndalte diku, ta gjente atë nen ku flitej për fyerje, trazim të ngjarjes, plagjiaturë, vjedhje të këngës, hipotekim të saj në pronësi të një familje tjetër.
Ishte njëlloj sikur t’i merrje dikujt emrin, nderin, trashëgiminë!
Koha e gjatë e studimit e kishte futur në botën e vje- tër, tani s’e kishte të lehtë të shkëputej prej saj, ishte bërë pjesë e jetës, e mendimit, e dyshimit tek ai. Halili i ri, nipi i Halil Gashit i’a lexoi mendimin dhe i buzëqeshur vijoi të folurën e tij, sërish në elegancë siç stilojnë objektet e një muzeu etnografik.
-Këta janë miqtë e mi!
Zotni Kamber Aga, djali i vëllait të Beqir Agës, ndërsa djali asht i biri i zotni Kamberit, vijoi me mirësjellje njohjen burri i pashëm dhe shtatëgjatë.
Nguli sytë e butë mbi portretin e mpirë të Nikut dhe i tha duke tundur lehtë kokën.
-Nuk kena ardh për at punë!
Kreshniku buzëqeshi, dyshimet e parapakta i ktheu sërish nga kishin dalë.
Përballë tij po qëndronin tre trashëgimtarë të atyre personazheve që i’a kishin trazuar gjumin, ishin bërë pjestarë të atelies së tij kërkimore, jetonte me to, herë i deshte, herë zëmerohej prej sjelljes së tyre, pastaj i linte aty të grindeshin sërish si në këngë e herë i nxirrte në kohët moderne në rrekje për t’i pajtuar e emancipuar.
Plaku dhe i biri nuk flisnin, rrinin në pezëm, dukej sikur ndjeheshin në faj, sikur Kreshniku u kishte lënë në dorë diçka që nuk ishte e tyrja. Edhe pse u vinte mirë ndjehej tek sytë shqetesimi, apo diçka tjetër që studiuesi nuk mund ta gjente në ato momente.
-Zotni Kreshnik, i’u drejtua sërish nipi i Halil Gashit! -Po flas edhe për miqtë.
-Ne dum t’ju përgëzojmë për historinë që prune me pasion deri në ditet e sotme. Ndryshimet e ligjërume prej jush i mirëkuptojmë se në fund të fundit asgjë nuk humbasin familjet tona, as krahina.
-Rapsodia flen po aty në miqësi, asht po e jona, nuk na e merr kurkush tjetër.
Niku mbeti i befasuar prej atij vlerësimi.
Nuk e pati menduar asnjëherë, ishte i papërgatitur të merrte prej studimit të sapo prezantuar duartrokitjen e familjarëve të vërtetë, kishte arritur aty ku s’e pati synuar.
Takimi me tre burrat ishte pjesa më emocionuese prej krejt procesit që nga dëgjimi i rapsodisë në bo- binat e arkivës së kulturës popullore, deri tek tubimi i sotëm.
Përgëzimi u qas natyrshëm, erdhi e qëndroi aty qetë si pjesë organike e një historie në vazhdim. Ngjante si kompromisi që kishte bërë gjyshi i tij, Halil Gashi, kishte brenda arsyetimin, urtësinë, logjikën, interesin, ndoshta pajtimi ishte genetikë e tyre! Takuan duart me dy bashkëmoshatarët dhe mbeti në sallë së bashku me plakun e vjetër, Kamber Agën, nipin e Beqir Agës. Ai veç tundjes së kokës me qeleshen e bardhë nuk ishte bërë asnjë çast pjesë e bisedës. Por Kreshniku kishte kuptuar se diçka donte t’i thoshte, vetëm atij, askujt tjetër, mundet as të birit e nipit të mikut, Halil Gashit. Paqja e dy familjeve ndoshta ishte ende e brishtë, e përgjumur, nuk donte të zgjonte hasmëri.
I moshuari me bastun futi dorën në xhepin e brendshëm dhe nga aty nxorri disa letra, ngjanin si dokumente, nuk ishin origjinale, i kishte fotokopjuar e noterizuar, duket ngaqë deshte t’ia vinte në dispozicion studjeusit.
Kreshniku po priste me ankth ta dinte çfarë kishte në to, çfarë shkruhej, për kë flitej!
Mos vallë ato fletë do i’a hidhnin poshtë me neveri ate ç’ka ai e pati pretenduar si arritje, sukses të bazuar në dokumenta, të analizuar pa anësi!
Ndaj po e brente e panjohura, akthi i dështimit. -Zotni historian, ishin fjalët e para që burri i moshuar i foli pas atij qëndrimi të gjatë në pritje!
-K’to janë disa dokumente që unë mendoj se i bëjnë mirë historisë që ti po e shkruan.
-Ti di me i vendos aty ku duhet dhe ke me u’a ndriçu vlerat, ne kemi kryer punë me to, tash të takojnë ty, merri.
Kreshniku mendoi për një çast se kishte ardhur nga e përtejmja botë e ndalur para tij vetë Beqir Aga, pikërisht ai që deri atëhere pati heshtur.
Askush s’e dinte çfarë bëri ai pasi ishte larguar nga qëndrimi i gjatë, mbyllur në kafe së bashku me Halil Gashin!
Kishte hyrë si gjaks në pritje të vdekjes dhe pati dalë i stiluar për dhëndërim me mikun e ri në krah dhe fletë-lejen e firmosur për të jetuar sërish.
Aty ngjarja nuk fliste më për të, ishte zhdukur pa gjurmë!
As vetë studjuesi nuk pati guxuar të hulumtonte më shumë, të tentonte të futej brenda kullës së Beqir Agës, aty në odën magjike ku ishin mbyllur për tre ditë e net të dashuruarit! E pati qasur kërkimin deri tek dera e kullës, jashtë në oborr, por nuk kishte trokitur, nuk kishte lypur mikëpritje, nuk kishte thirrur:

  • “A don miq o i zoti i shpisë’!
    E pati konsideruar privaci, amanet të çiftit që askush tjetër veç tyre mos e shikonte e prekte, të mbetej e shenjtë si vetë dashuria e tyre.
    Atje brenda ndoshta dashurohej akoma, ndoshta kishte ndodhur një krim, një vrasje, të gjitha këto ai i pati supozuar, por asnjëherë nuk ishte tunduar nga kurioziteti për më shumë.
    Kamber Aga pasi i la në dorë letrat e përshëndeti vetëm me kokë e dorën e vendosur në gjoks.
    Më pas ishte çapitur drejtë daljes duke trokitur bastunin në pllakat e ftohta të hollit të hotelit ku ishte zhvilluar konferenca e shkrimit ndryshe të historisë. Kreshniku mbeti i shtangur tek dera e sallës ku sapo kishte përfunduar eventi!
    Dokumentat peshonin në duart e tij ashtu si dhe largimi i burrit të thyer jo vetëm nga mosha, por nga amaneti që ai duket ishte zotuar ta vendoste diku i qetë.
    Nuk levizi, i hapi dhe filloi t’u hidhte leximin aty, në frikë se mos i’a merrte dikush tjetër, i kishte amanet, duhej t’i mbronte.
    Nipi i Beqir Agës i ishte drejtuar pikërisht atij me një letër të shkruar në shkrim dore.
    Lexohej me vështirësi, gërmat ishin ngjeshur për të zaptuar sa më pak vend, duket të frikuara s’e mos thonin më shumë seç duhej.
    -I nderuar zotni studjues!
    Kreshniku konsumoi me një frymë rrëfimin e shkruar nga burri me qeleshe e bastun.
    Ai dhe familja e tij në vitet dyzet ishin etiketuar kulakë, kishin pasuri, toka, bagëti, histori të kënduar, ndaj koha donte t’ua rrëmbente, t’ia hidhte harrimit, t’ua tjetërsonte.
    Nuk ishte mjaftuar me aq por i pati përzënë prej fshatit, siç dëbohet dikush që ka thyer zakonet, ka- nunin, ka kaluar një të drejtë, ka shkelur mbi ligjet e maleve. I vetmi faj i tyre ishte se ata trashëgonin pasuri, cilësoheshin klasë e përmbysur, bashkëpunëtorë, e kaluara, e vjetër.
    Jetesa e gjatë larg shtëpisë e vendit ku lindën pati pasojat e veta, kulla ishte rrënuar, hardhitë qenë degraduar.
    Me prishjen e xhamisë së katundit ishin dëmtuar edhe varret e të parëve.
    Vite më pas ai ishte kthyer sërish në atë vend, kishte ringritur çdo gjë nga fillimi, në fund kishte mbetur qetësimi i të parëve, etërve të vdekur e të trazuar në botën e përtejme.
    -E kreva këtë punë i dashtun Kreshnik, e mbyllte letrën plaku i urtë!
    -Po shkoj i qetë, pa dhimbjen e humbjes, tash të tjerat t’i lej amanet në dorën tënde.
    -T’u rrit ndera ty e familjes.
    -Me respekt, Kamber Aga.
    Kreshnikun e mbërthyen emocionet njerëzore, përjetime të gjalla që vinin nga zemra e një burri që i’a vlerësonte ndersherinë e punës së deritashme. Kërkonte më shumë, donte më shumë prej tij, sepse i besonte më tepër s’e askujt në botë.
    Xhesti i tij fisnik ishte vetë konferenca, përgëzimi,
    shpërblimi që ai e pati merituar por që nuk i’a kishte dhënë askush zyrtarisht.
    Tani nuk kishte më nevojë për të, u ndje i lehtësuuar që s’e pati marrë si kolegët historikthyes.
    Letrat e tjera ishin dy procese të firmosur nga tre ekspert, aty shkruhej në detaje çdo gjë që ishte gjetur nga zbulimi i disa kockave që të afermit e Beqir Agës pretendonin që ishin të familjes së tyre.
    Behej fjalë për dy zbulime!
    Në njërin ishin gjetur eshtra njeriu të moshës rreth shtatëdhjetë vjeçare, i seksit mashkull. Nga ekzaminimi i hollësishem nuk dukej asnjë dëmtim i tyre nga ndonjë prerje, thyerje, goditje me sende të forta apo nga plumbi, përfundimi;
    ‘vdekja nga shkaqe natyrale’.
    Ndërsa eshtrat e dyta i takonin një njeriu të moshës së re, rreth të njëzetave, të seksit femër, në kafkën kishte një vrimë shkaktuar nga plumbi, vetëm një, jo dalje nga ana e përparme, shkaku i vdekjes përcaktohej; ‘dëmtim i rëndë i kafkës prej një qitje të kryer nga afër’.
    Kreshniku uli letrat dhe s’po dinte çfarë të mendonte për atë që sapo e lexoi!
    E kishte patur në planin e vet gjetjen e varreve të tre personazheve të rapsodisë, por ishte ndalur, ishte friguar, nuk dinte kujt t’ia kërkonte lejen për ta realizuar ekspertimin.
    Nuk donte të përzihej me eshtra, ato mbanin tjetër mister, shumë të panjohura, mundet t’i hapnin konflikte, ta paguante me kokë guximin e tepruar! Kjo ishte arsyeja që ai e kishte dëbuar nga plani i vet,
    atë hap e kishte hedhur pas krahëve.
    Ekseprtiza vërtetonte se Halili nuk e kishte vrarë Beqir Agën siç mburrej kënga e parë!
    Pas saj gremisej rrëke e gjithë historia e kënduar, nga kreu deri ne fund.
    Asnjë provë nuk shkonte në kahje të rapsodisë, ajo ishte sajuar për një trimëri, askush nuk i thurte lavde urtësisë, arsyes, kompromisit!
    E përfshiu entuziazmi i zbulimit, për një moment donte të futej brenda t’ia tundte me krenari para syve sallës, të ftuarve, por ajo brendi ishte bosh, flinte duke tretur genjeshtrat që pati dëgjuar për aq orë. Lëvizi për nga dalja.
    Jashtë tek hyrja e hotelit u përball me sheshin e madh, me shumë njerëz që lëviznin si milingonat në spontanitetin e jetës.
    Pati sërish të njejtën ndjesi, deshirën për t’ua rrëfyer atyre, të sotmeve historinë që sapo kishte përfunduar. Por a do e kuptonin ato, a do e përtypnin gjeneratat e sotme!
    Sheshi përpara tij nuk ishte sallë me njerëz të përzgjedhur, ishte hapsirë e mbushur me kalimtarë të rastit. Ata bartin secili kulturën e vet, mentalitetin e zakonin e vet, kanë formimin e ri e trashëgiminë e së kaluarës, manifestonin në jetën e përditëshme besimin, moralin, sjelljen.
    Nuk kishte pse hezitonte t’ua transmetonte rapsodinë e sapokrijuar, fundja ky ishte misioni i tij si studjues, nuk po bënte asnjë gabim!
    Ishte i përgjegjshëm se ai mision ndoshta qe i pamundur, nuk do ndryshonte asgjë, thjeshtë do hidhte mbi ta kureshtjen, ushqimin e përditshëm shpirtëror, pa
    e ditur në e tresnin apo jo, e pranojnë apo kanë për ta refuzuar, e konsumojnë apo do e vjellin si diçka të huaj.
    E brente sedra e profesionit!
    Si t’ia shpjegojë brezit të sotem s’e Beqir Aga e kishte dashur gjithë jetën Hajrien e bukur e prej kësaj nuk u martua kurrë!
    Kishte jetuar edhe ai vetëm tre net, ashtu si dhe ëndrra e tij, vajza që e deshi porsa e pa.
    Por mbas tre ditesh zakoni e kishte detyruar të martohej, ajo ishte bërë gruaja e tij, ishte shndërruar subjekt i veprimit kanunor.
    Ai e kishte ç’virgjëruar, kishte kryer aktin kulmorë, nga kjo pasojë ai natën e parë të martesës nuk do e gjente të ndershme gruan, vajzën e përdorur prej tij. Familjarët nuk do shikonin çarçafin me njollën e kuqe, ndaj tash atë që e deshte me shpirt duhej ta vriste.
    Ishte një vetëvrasje, nuk kishte rrugë tjetër, do flijonte dashurinë e tij.
    Ashtu e lypte zakoni, atë mesazh kishte fisheku në pajë që Halili ia kishte prurë dhëndrit të ri në petkat e motrës nuse.
    E pati vënë në rolin e ekzekutorit, vetëm vdekja e shpëtonte nderin, nuk kishte rrugë tjetër.
    Tragjedia e jetës qëndron tek absurdi, e pakuptimta, morali i kalcifikuar, zakoni, fataliteti, kokëfortësia e traditës.
    Hajria ishte dënuar nga ëndrra e vet, nga bukuria, nuk duhej të jetonte, e kishte mbyllur aty, me një plumb të shkrepur nga e njejta dorë, ajo e të dashurit të saj që e pati përkëdhelur ëmbëlsisht, jo pak por tre netë me radhë.
    Kreshnikut i lindi dëshira të shkruante vargjet e tjera, ta gjente çiftelinë dhe të kërkonte një zë aq magjik sa ai i Tom Nikollës.
    Notave të rapsodisë t’u jepte ëmbëlsinë e dashurisë, dramacitetin e ngjarjes, misterin e intrigës, dinakërinë e syve të gjakur zakonorë.
    Nuk kishte nevojë për pagëzim, kënga e zgjodhi vetë titullin, ajo nuk ishte më burrëri e vëllait, por tragjedi e motres Hajrie.