Trajta-Ruzhdi Gole

Ruzhdi Gole

TRAJTA
—————
-Merre me vete…                                 
-Ç’të marr ? Unë me vete i kam të gjitha. a, a, a … duhet të marr çadrën ? Çadrën me vrimë. 
Sa ngre kokën shoh një pikë qiell nga ajo vrimë. Sa shoh pikën ia bef pika tjetër, ajo e  shiut. Ndonjëherë më duket se edhe nën ndonjë strehëz pika më freskon. Edhe kur fle gjumë.                   
Ik, o dreq se ma more mëndjen. Kjo s’është fantazi, kjo është lajthitje. Tri herë e shqiptova fjalën “lajthitje” se ajo më dukej se shkruhej në çadër me shkronja të mëdha. Me se ta fshij ? Mbështillu mirë. Sot është ftohtë – dëgjova po atë zë shtëpie.                       Asnjë përreth. Kush më fliste, kush më afrohej e ikte turbullt ?
     (Kujtesa kthehet atje ku dhëmb më tepër. Tani, më rrallë, më kujtohet im atë. Zëri i tij më bëhet i tejmë. Jetoi def mes pijeve ai. Mëma ime u rrëmbye nga ai, nga dashuria tetëmbëdhjetë vjeçe?! 
      Një mbrëmje kur erdhi babai dhe nënoja për vizitë tek ne, si padashur, u prish e qeshura. Baba ne i thoshim gjyshit, nëno gjyshes. Xhevdet thërrisnim babanë tonë.                         
 Si e qysh kështu, s’di ç’t’ju them ?         
-Ti s’ishe i zoti të fshihje ndonjë gjë nga pronat e tua – i tha Xhevdeti, ndonjë gjë për vajzën tënde. As vajzën s’e mbajte dot. 
Babaigjysh u ngrit, pa nga nënëgjyshja dhe me një “natën e mirë!” të ftohtë ikën. Ç’bëre kështu, o Xhevdet ? Do të mplakesh vet e do shohësh sa preken të moçmit.- u trimnova unë brenda vetes.
Babagjyshi dhe nënogjyshja, të kamur dikur, të shkundur më pas por asnjëherë të fyer. U fyen atë mbrëmje nga dhëndri i vetëm.
Ç’the kështu, o Xhevdet ?)
Merri me vete – u mek zëri … s’dëgjova ç’duhet të merrja me vete : çantën, kuletën, ditarin ? Të gjitha merri… Dikush foli. Jo askush. 
(Njëherë hëngra ca pëllëmbë fshikuj nga Xhevdeti dhe ia mbatha nga nënogjyshja. Atje gjeja strehëz. Më jepte nënoja ndonjë lek për kinema. Ndonjëherë edhe rrëshqisja tek dera e kinemasë, ndonjëherë ne na linin të hynim grup kalamajsh.
Xha Qaniu bënte hyrjen tek porta, xha Xhemali me qillota leshi më dukej sikur ishte i vetmi operator filmi në gjithë botën se ai filma të botës shfaqte.
Pas dy ditësh erdhi Xhevdeti tek babaigjysh. As pyeti për mua. Pyeti, pak zë dridhur. Kaq mbaj mend. S’i u ktheva në shtëpi s’e di as sot.)
Nënogjyshja vishej bukur, mbulohej me tyl të zi,  këpucët me taka i shkëlqenin. Jetonin me brumin e tyre të pakët asokohe, por prisnin, përcillnin plot.
Derë e madhe nuk e mbyll asnjëherë portën e nuk e mban sofrën bosh. Ua morën të gjitha gjer në thua.              Kohë pas kohe vinin dadaja, Pertefi, Zylfia tek nënoja. 
Dadaja ulej përtoke. Nëno-gjyshja i afrohej, e kapte për krahu, e ngrinte të ulej në minder.
Jo, zotrote, jo, vendi im është përtoke – fliste dadaja. 
Gjyshja ime asnjëherë se la përtoke dadanë.
Leko gjahtari, gjitoni, i donte shumë, i mburrte nënonë dhe babanë e mëmës sime, s’u trembej të vetëve. 
Vëngërt i shihte bota të mitë. Cila botë kjo e të gjallëve ? 
Po, i shihte, shpesh, rrallë. Asnjëherë!!!
Herë-herë, tjetër botë jeton tek njeriu. E di vetëm ai ç’botë, e sheh vetëm ai. S’ia merr kush, s’ia rrëmben. Edhe nëse 
ia rrëmben , kurrë ajo botë kësaj bote s’bëhet e tij. Ajo e rrugës mundet se rruga e të gjithëve është e mund të bëjmë ç’të duam me të, ta grabisim, ta shkelmojmë, ta shtyjmë, shtypim, shkërdhejmë, por botën e së vërtetës pa mllefe e përdhunë, pa sharje e mallkime s’na i njollos kush ose na i njollos njëfarë kohë.
Bota e Lekos, e gjahtarit me zemër është më e pastra, bota e dadasë.
Merr,… 
Ç’të marr me vete sot, o mëma ime, para s’e të vij tek ty? 
Qënkam në rrugë me shall e me çantë , mbathur jo me këpucë hajdute por të miat. 
Shi,shi,shi. Hap çadrën. Ngre kokën. Qënka këputur një tel.
S’paska asnjë vrimë kjo çadër