TRE ARSYET QË MË ÇUAN NË THETH.
Nga Ymer Hysa
Pasi kisha përshkuar dy orë udhëtim me makinë dhe pirë kafen e dytë të ditës te Buni i Bajraktarit në lartësinë 1740 metër mbi nivelin e detit do të vazhdoja rrugën mes bjeshkëve alpine drejt Thethit.
Kurrsesi se kisha imagjinuar se rruga do të ishte kaq e mirëmbajtur, e asfaltuar bukur, pa asnjë gropë, me sinjalistikë të bollshme, me vija të bardha, me tabela orientuese dhe me mure mbrojtëse nga rrëshqitjet e dherave; dhe në krahët anësorë barriera metalike për të mbrojtur automjetetet në raste rreziku të daljes nga rruga. Veç kësaj në tre vende ku rrëshqitja e dherave e gurëve ishte më e mundëshme, ishin ndërtuar tre tunele panoramikë për të mos ja humbur pamjen asaj bukurie mahnitëse të alpeve.
Nga kjo lartësi do të zbrisja mbi njëmijë metra më poshtë për të arritur në Theth, por zbritja do të ishte e “butë” në atë rrugë gjarpëruese mes pishave dhe ahut.
Në Theth nuk kisha qenë kurrë gjatë jetës time. Kisha njohuri të bollshme për të si Pikë Turistike, si kamp pushimi, për Parkun Natyror të tij, por mbi të gjitha kisha dëshirën e madhe për të vizituar tre nga objektet e tij të rëndësishme, sipas klasifikimit tim, Kishën e Thethit, Kullën e Ngujimit dhe Varrin e Albanologut Robert Elsie të cilit i kam dedikuar një poezi dhe botuar në njërin nga vëllimet e mi poetikë.
Thethi është qendër e mbrojtur historike, ka Parkun Kombëtar dhe vetë fshati Theth është qendra e kësaj zone me bukuri të rralla natyrore apo siç poetët e vargëzojnë Kurora mes Maleve.
Duke soditur nga bregu i Lumit të Shalës mahnitesha me atë bukuri natyrore të Alpeve Shqiptare, Shikoja malet dhe qafat me radhë që nga Qafa e Thores, Shtegu i Dhenve, Radohima, Sheniku, Papluku me lartësi mbi 2500 m mbi nivelin e detit, Maja e Alisë, Qafa e Pejës, Gropa e Bukur, Qafa e Jezercës, Maja e Zezë, Maja e Zorgjit.
Pikërisht aty në luginën e Thethit në lartêsine mbi 750 metër e sipërfaqe mbi 26 mijë ha do tē magjepsësha duke soditur shtëpitë karakteristike me çatitë alpine.
Mezi prisja të vizitoja objektet e përcaktuara në axhendën time personale. Edhe pse makina shkonte deri pranë tyre më pëlqente ta bëja rrugën në këmbë, kjo për arsyen e vetme të shijoja çdo detaj të këtij vendi të mrekullueshëm dhe ta fiksoja në fotografi.
Arrita te kisha, ajo ishte objekti më i rëndësishëm i fshatit. Ishte ndërtuar në vitin 1892 dhe akoma është në gjendje shumë të mirë. Në oborrin e saj të madh ishin dy blirë gjigandë shekullore që aromatizonin ambjentin përreth. Nën hijen e tyre një instrumentist popullor luante melodi me çifteli. Mbase ishte edhe rapsod por sa ishim ne aty nuk këndoi asnjë këngë.
Bëj disa fotografi rreth saj për t’i ruajtur si kujtim dhe sillja ndërmend At Shtjefen Gjeçovin që kishte qenë famullitar këtu dhe në vitin 1917 kishte hapur shkollën shqipe këtu duke qenë vetë mësues.
Në varrezat pranë kishës ishte realizuar amaneti i studiuesit dhe albanologut Robert Elsie. Nuk e pata të vështirë ta gjeja. Barin e rritur e të dendur vizitorët kishin shkelur duke krijuar një rrugëz të ngushtë për të ecur njerëzit në kollonë njëri pas tjetrit.
Ishte një varr i thjeshtë, i gurtë dhe me mbishkrime. Unë pashë përjetësinë e tij këtu. Bëra atë që do të bënte çdo njeri, pastova barërat e këqinj dhe vendosa një buqetë me lule në shenjë mirënjohje e respekti.
Largohem nga aty për te Kulla e Ngujimit.
Ishte pak minuta më tej. Kulla ishte tërësisht e gurtë dhe ngrihej mbi një shkëmb si një fortesë. Aty na priti Sokoli i cili ishte trashëgimtar i familjes që e posedonte dhe bënte edhe rolin e ciceronit për vizitorët.
Pasi bëmë pagesën simbolike nën shoqërinë e Sokolit futemi në kullë. Kati i parë i saj ishte shkëmb i gjallë i pa prekur. Ngjitemi në katin e dytë permes shkallëve të drunjta dhe ulemi këmbëkryq mbi lëkurë delesh që ishin shtruar mbi qilime të hershëm mbi shtresen me dërrasa. Në mure vareshin korniza me fotografi të trashëgimtarëvë dhe të personaliteteve të njohur historikë si Lekë Dukagjini dhe Mehmet Shpendi.
Sëbashku me ne kishte edhe turistë të huaj, rolin e përkthyeses në këtë rast e bëri vajza ime Klodiana.
Sokoli tërë pasion filloi të tregojë për kullën dhe historinë e saj.
“Kjo kulle ka katër shekuj e ndërtuar, ka tre shekuj pajtime dhe ka nje shekull që nuk funksionon, kjo pasi kanuni nuk funksionon.
Pse quhet kullë izolimi kur është kullë pajtimi, ishte një pyetje retorike e Sokolit dhe fillonte të jepte shpjegimet.
“Nuk dihej qe do tē pajtojeshin të gjithë.
Kur bëhej vrasje, plagosje apo dëmtim prone, gjaksori vinte këtu për 15 ditë e jo më shumë. Kjo ishte koha e mjaftueshme për pajtim. Ta sqarojme vazhdonte Sokoli, Kullë pajtimi është quajtur vetëm e bajraktarëve.
“Por kush u jepte për të ngrënë, kush i ruante?” Ishte pyetja e radhës e Sokolit.
-“U jepte familja (pronarët e kullës) dhe dy palët paguanin ushqimin, jo me para por me rikthim do të sqaronte ai.
Per t’u ruajtur Thethi i Shalës kishtë 100 persona. 10 -15 prej tyre shërbenin me radhë brënda dhe jashtë kullës si roje.
Personat që ishin në gjak dhe ishin në besë të pleqve nuk ruheshin”.
Për t’u pajtuar jo pak raste simbol kishim djepin.
Kur dy palët ishin ballpërballë merrej djepi me djalin e familjes së gjaksit. Djali vendosej në djep, lidhej sipas zakonit e kthehej me kokë poshtë. Kuptohet, po ta leshë gjatë ashtu fēmija vdes, por se linin pleqtë, nëse babai i familjes së viktimës e kthente në pozicionin e duhur falej gjaku.
Kur falej gjaku fisi pajtohej për jetë. Dhe për ta rrënjosur këtë pajtim familjet lidhnin mes tyre kumari (duke i marrë flokët një fëmije pasi e vinte në prehër) që ishte njēri rast dhe rast tjetër pajtimi ishte pirja e gjakut të njëri tjetrit pasi shponin gishtin e beheshin byrazerë.
Më tej Sokoli shpjegonte rastet kur nuk arrihej pajtimi, shpjegonte rreth trajtimit të femrës nga kanuni etj. Në këtë kullë janë pajtuar 300 konflikte do ta mbyllte me kënaqësi shpjegimin e tij historik rreth kullës së pajtimit Sokoli.
Pastaj merr një gjethe frashëri, luan një melodi me motiv popullor dhe pasi mbaron ma dhuron mua si kujtim.
Dal nga Kulla emocionalisht i lumtur duke bërë edhe një fotografi me Sokolin dhe largohem lumturisht nga Thethi qe m’u dha mundësia që ëndrren time të hershme për të vizituar Thethin për dy arsye të hershme dhe një të re ta bëj realitet.
Theth, 25.06.2022


