Tre lumenj-Fatmir R Gjata


Tre lumenj

Tre lumenj më sillen rreth,

vorbullojnë në çmënduri

Dy janë bërë me valë të bardhë,

një sjell vetëm ujë të zi

Një është ndarë hatër mbetur,

ikën thjesht i turbulluar

Në mes pishash të ngrehosur,

në mes shelgjesh të lotuar.

Tre lumenj më sillen rreth,

më përpijnë me grykësi

Vijnë nga larg e të malluar,

puthin detin përsëri

Edhe ikin të çuditur,

mbushur dallgë e mbushur shpresë

Duke u tundur madhërishëm

nëpër djep të Myzeqesë.

Tre lumenj më kanë rrethuar,

e më marin të më çojnë

Të shikoj se ku po ikin,

të shikoj se nga burojnë

Të më shuajnë etjen e verës,

duke ikur me rrëmbim

Në mos qofsha vetë i gjallë,

do jetë vetëm shpirti im.