Tregim:Razielda Hitaj


…Ndjeu një dorë që e preku lehtë në sup, ishte i ati, ai shëmbëlltyra, idhulli i saj. Hera buzëqeshi lehtë duke u përpjekur të fshihte trishtimin në sytë e saj.

Dy kokfortë, kryelartë që e adhuronin njëri-tjetrin.

Për të atin Hera ishte një vajzë e hijshme, e kulturuar, edukuar, një nxënëse e shkëlqyer që e adhuronin të gjithë.

Ai kishte frikë, frikë se mos e bija rendte pas të ashtuquajturës dashuri dhe linte mënjan synimet, karrierën, pasionet e saj aq të dëshiruara.

Frika i lexohej në sy, nuk ishte e nevojshme ta shprehte se ç’ndjente. Ajo e njihte aq mirë atë, mund të them se ata e njihnin fare mirë njëri-tjetrin.

-Por babi, mos u shqetëso-thoshte me vete.

E si mund të qetësohej ndërgjegjja prindërore?!? -Hera, ti një ditë do të ikësh, e di, do krijosh familjen tënde, strehëzën tënde të dashurisë, sigurohu që ajo strehëz e ngrohtë të jetë e denjë për ty!

-Babi, unë nuk do të iki kurrë prej teje,-tha Hera duke u skuqur e bër prush në fytyrë.

Këto gjëra e vendosnin në siklet, nuk donte kurrsesi të bisedonte të tilla gjëra me të atin. Për të ajo donte të ishte përher ajo fëmija tekanjoz, e vockël, të luante me kukulla, të përkëdhelej cdo natë para se të flinte.

Oh, jo si mund të ikte ajo prej këtyre kënaqësive, kush do ta donte Herën si një fëmi të pabindur?!?

Për herë të parë, ajo ndjeu frikë nga ajo bisedë, akumuloi gjithë fjalët, i dukej se tani ishte më e rritur, i dukej se tani nuk do të kish më llastime, befas u ngrit e revoltuar me veten:

-Unë nuk dua të rritem, nuk jam gati të rritem, nuk dua të më mungoj vëmendja dhe përkushtimi.

Por këto fjalë nuk ja thoshte dot të atit, andaj e përbetuar në heshtje vendosi mos të rritej kurrë, të mbetej ashtu, një femijë i shkujdesur, lozonjare, tekanjoze.

Nesër do të niste një jetë të re, për të cilën Hera nuk ishte gati, një jetë studentore.

Po, nga nesër ajo do të ishte një studente, në një godinë gjigande, të huaj, të zbrazët nga ngrohtësia shpirtërore. Aty do të kalonte vite të tëra përkushtuar studimeve, orë të gjata leksionesh, lodhje fizike e shpirtërore.

A ishte gati Hera për këtë?

Ajo ishte e bindur se do ta realizonte gjithë dëshirën e saj, e bindur se nesër cdo gjë do të ishte ndryshe…