Në ardhç sot në ëndërr druri,
Të ma bësh gjumin si erën,
Nëse s’ngjitesh dot nga muri,
Mos prit të fundoset nata,
Me këmborë të rrënda resh,
Gjumin me hapadollapa.
Do t’a bëj gjer në mëngjes!
Në se vesh fustanin e bardhë,
Vish të kuqin alla frënga,
Se erdhëm njëherë vërdallë,
Mezi t’a hoqa nga mënga!
Në ardhç siç vjen me të madhe,
Sa të skuqet trëndafili,
Ëndërr është hedhim një valle,
Me muzikë të blertë prilli.
Bëjmë një xhiro mbi Epir,
Puthemi në gji të Artës,
I pyesim: ” çish bëni mirë?”,
Prishim pagjumin e natës
Sot, në ëndrrën në më shfaqesh,
Qoftë dhe për të fundit shpresë,
Mbytur në vrulle meraqesh,
Do të lutem për martesë!
***
Më përmendi jotja këngë,
S’di se kush po e dëgjon,
Zemra ime u bë mëngë,
Nëpër dridhma po përgjon!
Nëpër gjumë tingull i vjetër,
Me magji mi hapi sytë,
Të kish qënë këngë tjetër,
Do isha në gjumë të dytë!
M’u kujtua buza jote
Përdredhur në cep me naze,
Si i kaptove kaq mote,
Prishe gjumin me avaze?!
M’u kujtua…oh moj kohë,
Të gjitha si vetëtima.
U bënë shekuj që se shoh,
Më mbushte me cicërima!
***
Ju nuk e dini,mbrëmë u dha lajmi,
Zogjtë turma-turma, me sqep u t’holl gjalmi,
Ujqit tufa-tufa u pataks Epiri,
Njerëzit morën malet shpëtuar zinxhiri!
Pëmët lumturonin, fluturonin bredhat,
Lisat e harbuar kërcisnin si predhat,
Rrepet rrënjëthellë, si flokë shkulnin retë,
Lumenjtë e Ballkanit iknin më t’përpjetë!
Detet e shqiptarëve u ngritën në qiell,
Dielli zgjati ditën tre hostenë diell,
Nata ndezi dritat e yllit përkorë,
Bota mbajti frymën dymbëdhjetë orë!
Në var Aleksandrit edhe Skënderbeut,
Ua çuan lajmin të bukurat e dheut,
Të gjithë kapedanët që ranë për liri,
Si qëngja ranë gjumë në përjetësi!
Ju nuk e dini? Mbrëmë ra boria,
U ngjall si lugati prapë Iliria,
Lajmi i vërtetë q’flladit si shpresë,
Nga gjumi shqiptari u zgjua besë!
***
Sa ka mbirë syth i natës po harliset errësira,
Darka ime sa ka nisur gjethe kam për ëmbëlsira.
Kovë e vjetër përfund barkut ende ka një grusht me dhe,
Të mbjell hijen e zambakut kur të zbardhë ditë e re.
Ime bijë s’më ka shkruar, nuk ka zemra as emoi,
Celularin e kam hedhur po flet dhelpra buzëproi.
Nëpër enë është ngatëruar Noja plakë po bën përshesh,
Sa ka dalë vrrullshëm prej fotos korniza shtrirë në shesh…
Errësira po lëpin qetë-qetë lisat në sukë,
Uria sharrë më grin sa të ha një furrë bukë.
Them të dehem këtë herë dy lumenj me verë t’i pi,
Po jam vetëm fillikat s’kam me kë të ngre dolli.
Them të dehem këtë natë pi me fund një zëmëratë,
Fundja nami le të bëhet le të ngelem fill i thatë!
FSHATARËT E MI
Dora u vazhdon me degë,
Këmbët rrënjë të thella toke,
Zhubrat vapa ua djeg,
Krehër pa kaluar koke.
Sa i dua unë ata,
Vocorakët dalë nga ferra,
Ruajnë kecat me një krah,
Hipin zbresin nëpër derra.
Kur i mer mëmëz e ngratë,
Si shelegë qëmenatë,
Fare hiç s’ua ndjen zënë,
Veç në u dhenç për të ngrënë…
E kanë zemrën qelibar,
Veç një fjalë e kanë besën,
I kam dashuri të parë,
Zemrës m’a mbajnë gjallë shpresën!
***
Kur të vijë pranvera me një frymë,
Në dritaren tënde të avitet ketri,
Mbi lulet e verdha pakëz brymë,
Buzëkuqi yt s’është më i vjetri.
Me të në xham do të shkruash “eja,
E shumëpritura mbërriti, mos u vono,
Tani përqafimet janë të reja,
Dhe puthjet s’do jenë më ato!
Për një çast veç kthehu të prek,
Fytyrën,mjekrën e pa rruar,
Ndarja, ah ndarja si prushi më djeg,
Të mbaj veç pak kokën në duar!”
Kur vjen pranvera unë dua të vi,
Pas dritares të kanë mbuluar lulet,
Të pres atë çastin e pashlyeshëm në avlli,
Kur gjithë qënia jote për përqafim më sulet!
***
Kjo e dielë laramane,
Si la nam në pik të pesës,
Mori rrugën me nallane,
Tatëpjetë lumit të shpresës…
Ju luta njësoj si mbretit,
Zgjata dorën mos e kap,
Kur u krodh në fund të detit,
E kuptova, kishte vapë!
Mbrapa meje degë e prrallit,
Varur krahët gazi botës,
S’kam fuqi ti bie ballit,
Me një gur ti bie kokës!
Kjo e dielë, ah kjo dielë,
Si më iku hiç pa ardhur,
Dielli syrin se ka çelë,
Ditë gjora sa ka zbardhur!
KABA
Hidhëm, pritëm dy tre herë,
Përmes lumi të më bjerë,
Shkundma shpirtin bërë vrer,
Hidhi një thërrime sheqer!
Hyr e dil me hir pahiri,
Lidhëm zgjidhëm nga zinxhiri,
Nga prangat në shpirt së mbiri,
Si heq dot i kam si briri…
Kabaja moj e Epirit,
S’do t’i fshi lotët e syrit,
Le të bien breshër, gurë,
Vdis e ngjallu bëhu burrë!
Bjer moj bjer të rëntë rrufeja,
Lotë le të bëhet reja!
Bjer për inat të katilit,
Vaj i sosur i kandilit!
***
Kur u poqe musht i mushtit,
Kur t’u skuq faqja si pjeshkë,
Të zhvishja si vapë e gushtit,
Mu bë shpirti mu si eshkë!
T’i hiqja nga një si gjethe,
Bluzën fllad përmbi kërthizë,
Më zunë disa palë ethe,
Dy gisht fundi si puhizë.
Buzë e kuqe çeli flakë,
Gjak si trëndafil Epiri,
Sa të preka fare pak,
Më vajti dora tek gjiri…
Dorë zeza s’qe më dorë,
Ishte mjaltë mbi kraharor,
Ç’të duronte jotja buzë,
U fik fitil në ventuzë.
SHIU
Shi si ai s’ka rënë asnjë mot,
Gjith’ inatet qielli i zbriti në tokë!
Ç’t’u desh moj e marrë,mirë unë s’kam mend?!
Strehëza s’na nxinte,dy pëllëmbë vend!
I trembëm dhe zogjtë,s’kishin nga të shkonin,
Cicërimat tona ç’kusur ti dëgjonin!
Uji mori dhenë fundi sa nuk doli,
Në të dy në strehë nuk e pamë ç’ndodhi!
Shira si ai bota i ka tmerr,
Unë i lutem zotit të bjerë dhe njëherë!
* * *
ATË NATË
Atë natë se di nga erdhe,
Tufan dufesh të pa çfryra!
S’gjetëm shkarpa për një çerdhe,
Si dy zogj, të marrtë e mira!
S’gjetëm asnjë fije bari,
Nëpër natën e shastisur,
Duke puthur shpresëvrari,
mbaja zjarrin të pa fikur!
Eh…sa u mundua nata,
Të mbulonte, s’gjeti shkarpa,
Grisi gjysmën e fustanit,
Se desh lamë kokrrën e namit!
Ç’hoqi nata atë natë!…
E shqeu fustan’n e gjatë,
Në mëngjes ne nuk e pamë,
Ikëm…lakuriq e lamë!
* * *
MUZA
Anës prroit kur të gjeta,
Nëpër shkarpa, nëpër fleta,
Kishe ikur nga përralla,
A legjendat janë të gjalla?!
Buzë e kuqe të ish fshirë,
Loti faqes të kish ngrirë,
U trondita, u mahnita,
Në merakun tënd u mbyta!
Kur u zgjove, fluturove,
Sa më trëmbe, më gëzove,
Buza ime të kish ngjallur,
Por për vehte isha kallur!
Anës përroit, s’di pse mbeta,
Nata erdhi me një krah,
I shastisur rashë e fjeta,
Ndënë thanat porsi gra!
* * *
KOKRRA E QERSHISË
Ti,… ti kokrra e qershisë,
Nëpër pupla të kumrisë,
Të kafshoj pak, fare pak?
Kam frikë se të bëj me gjak!
Më është djegur buzë shkreta,
Ca nga vapa, ca nga jeta,
Pak, veç pak sa ta provoj,
Frikë kam më shkrin në gojë!
Po sikur të kap për bishti,
Të varen kokrrat tek gishti?
Ç’faj ka gishti, gisht qyqari,
Të bëhet i kuq si zjarri!
E do buza, bruza-bruza,
Ndaj dhe po më bën merrak!
Ti ngul dhëmbët si topuza,
Do ma bësh buzën me gjak?
* * *
Pas fjalëve të tua, e humbas ngahera,
Si më ikin fjalët…ndoshta m’i merr era!
Sa ikën si vesa fare pa kuptuar,
Menjëherë pse kthehen si lodra në duar!
Fjalët ma dhanë fjalën
Vetëm ti të vish,
Vetë do të rrjedhin si burim lajthish.
Fjalët ma dhanë fjalën po unë s’u besoj,
Po ti vetëm eja le të jem pa gojë!
Po ti vetëm eja, eja në të shkuar,
Si zog i kam zënë i shtrëngoj në duar!
* * *
Kur u shtrive, u përfshive,
Si mëndafsh i bardhë, u shkrive,
Dritëhëna u verbua,
Shkoi u mbyt në përrua!
Natëzeza u bë ditë!
Hape gjoksin e më mbyt!
Zgjate dorën e mëkatit,
Më rrëmbe o lumë i mjaltit!
Një gisht para, dy më tutje,
Nuk kam kohë as për një lutje,
Trëndafilat të mbulojnë,
Se di a të meritojnë!
Jap e marr shtrëngoj burgjitë,
Për një natë që bëhet ditë,
Se jam burrë e më vjen turp,
Herë them… ta ha me bukë!
* * *
Veç pak dua të më duash,
Dashuri për ditëzi,
Emrin në një cep t’a shkruash,
E në u fshiftë prapë…u fshi!
Pak,veç pak më dëshirofsh,
Një natë janari në vetmi,
Edhe në mendje mos e shkofshë,
Unë gjallë a vdekur do të vi!
Qerpikun e zot kur t’a pashë,
Ma shtolle mendjen prapësi,
Pak vetëm pak më paç në mëndje,
Unë mëndje e shpirt do jem tek ti!
O zot, o zot, bëji për mua,
Ata gjinj q’shpërthejn muza,
E do t’i dua, sa do t’i dua,
Ilaçin tënd do vë tek buza!
* * *
Buzë më buzë,më zgjo si prushi,
Ligur, fikur fjalë pakë,
Tani kur të vijë gushti,
Eja mbillëm me zambakë.
Mbase vjen me përvëlima,
S’di të ftohem si kamina.
Gjoksi yt dritë dëborë,
Ngrin e shkrin një meteor!
Eja edhe në shtator,
Thelë moj zemra ime thelë,
Dallëndyshet në oborr,
T’i përcjellim një të djelë!
Synë e zi, ah synë e zi,
Nxirre pak në telefon!
Ç’them dhe unë… me oi,
Eja, eja përgjithmonë!
* * *
Zjarr ti mos u merr me mua,
Ditën, kohën mos e humb!
Thojini,… ua kam hua,
Se do digjet bëhet shkrumb!
Ajo sonte do të vijë,
Sa ma nisi një shkëndijë,
Lermë, ç’ke, merru me shokët,
Mos më gjen pa krehur flokët!
Mos më gjen pa trëndafila,
Mos më gjen pa tulipanë,
Rri më qafsh, mos më fut cfina,
Se ma mban kokën mënjanë!
Ik te mali në Epir,
Bashkohu me vetëtima,
Se po erdhi mikja, bir,
S’ke nga ikën, s’të nxë vrima!
Ja po vjen…më bëre punë,
Nga t’ia mbaj i ziu unë!
Zjarr o zjarr gjer në mëngjes,
O më vdeksh, o do të vdes!
* * *
Ti ikën e vjen e Epirit erë,
Sa ma prek fytyrën dehem si me verë,
Fjalën kur ma thua e përzien me mjaltë,
është si manaferra e embël e thartë!
Frikëzat e tua sa të shkojnë si hoje,
Kur më the të dua, fjalët numëroje,
Ngadalë i rrendisje në zinxhir floriri,
Unë po një gisht ujë ika nga fiqiri!
Sa ma prekje gishtin s’ishte më i imi,
Sa digjej nga zjarri, shuhej përvëlimi,
Këngën unë për ty…ku e çova këngën,
S’di se ku e humba tutje mori mëngën.
Dorën kur t’a preka si pëndë pullumbi,
Dale me ngadale nëpër gjoks më humbi!
Ikën e më s’ikën dielli n’çati,
Një sy kish nga nata tjetrin nga ti!
Moj er’e Epirit ti solle Perinë?!
Parfumin e gjirit era trëndelinë?
Dielli s’perëndon dhe ju nuk më thoni?!
Në kam qënë në gjumë s’dua të më zgjoni!
* * *
Zemrës nuk i’a vura zjarrin,
Ti je e madhe dashuri!
Shpirti shpirtin kur kërkon t’ia marrin,
Për një gonxhe trëndafili do t’a jepja ty!
Ende s’ta kam parë shkëlqimin e syve,
Atë që na vdes e na ngjall të dyve,
Si ëndërr më vjen e në çast më ikën,
Hërë më fut zjarrin, hërë më kall frikën!

Nuk kam pse të ndjell fantazi të marra,
Sepse drita jote më ndriçon e para,
Çdo mëngjes si vesa sa më prek dhe ikën,
Shpesh më lë me zjarrin,dhe më shpesh me frikën!
Si gjithmonë e di gënjeshtare mëndja,
Në çdo trëndafil Gonxhja është tëndja!
Ti s’je dashuri,ti je një Agim,
Ja kam frikën zemrës se mos bën gabim!
Ja kam frikën zemrës, gjoksin po ma çan,
Vitet që kanë ikur mbulon me jorgan,
Ja kam frikën zemrës mos më kap gafil,
Nuk ia fik dot zjarrin me një trëndafil!
* * *
Syrit tënd, e lashë, s’do ja hidhja sytë,
Me njërin ja dola, s’munda për të dytë!
Buzët,o zot buzët, trëndafil me rrëmba,
Sa herë i puthja më shponin si gjëmba!
Nuk po shkoj më tutje se bëj atë gafë!
Boll jam mbytur unë dhe u marr më qafë!
Mos e patë nga shkoi shtajzovallen time?
Sa të mbledh pak zemrën
Se m’u bë thërrime!…