TROKITJE SHPRESE NË DYERT E MBYLLURA-


TROKITJE SHPRESE NË DYERT E MBYLLURA-

Gjithmonë qëndrova me shpresën livadheve të mëndjes duke shëtitur ëndrrave të mia të mirazhit gjatë gjithë jetës ,për të pasur dyert e dritaret të hapura.

Kurrë nuk u largova nga realiteti i kësaj bote edhe pse dëshirat e jetës shkatërrohen nga problemet që të dalin përpara.

U përballa me urrejtjen dhe të gjitha dhimbjet, të cilat i mora si dhurata,por më në fund kuptova që jeta nuk të përkëdhel aspak. Rrugët janë të gjata e me kthesa pa fund.

Fle dhe zgjohem me plagët e mia ,ku sot kam kuptuar që po s’pate pushtet, s’ke as të ardhme.

Në periudha të ndryshme të jetës lashë peng ëndrrat e mia, frymën time, gjithë dashurinë për vetveten dhe jetën duke parë që s’hapeshin dyert ku un trokisja.

Numëroja të gjitha ditët që kalonin duke qëndruar në pritje për tu hapur qoftë dhe vetëm një derë ,me shpresë se pas saj do hapeshin dhe dyert e tjera .

Lutesha dhe vazhdoj të lutem me besimin e madh në zot që diçka do ndryshojë.

Ndonjëherë më është ndezur një shkëndi e vogël sa herë më hapej një dritare apo një derë dhe unë gëzohesha, buzëqeshja e heshtur si një fëmijë. Mirpo ajo derë çilej vetëm për pak sepse ishte caktuar për orare të shkurtra.

Sytë e botës e shuanin menjëherë atë shkëndi të vogël që enkas ndizej për mua.

Askush s’e donte lumturinë time.Ma merrnin si pa dashur e pa pritur ata sy djajsh të mallkuar dhe e flaknin tej larg.

Oh Zot,sa mëkate kanë bërë dhe bëjnë në emrin tim ,por unë kisha dhe kam një forcë të brëndëshme që s’më lë të rrëzohem. Edhe pse këmbë këputur e zemërthyer, eci e eci përsëri duke buzëqeshur ,për të mos lënë të kuptuar dhimbjen dhe trishtimin tim sa një mal.Lotët i kthej në stalaktide brënda zgavrave të zemrës që askush mos t’i shikojë.

Ditët bëhen më të vështira dhe unë raskapitem nga karvani i jetës që mbushet e zbrazet si do.

Ndodh shpesh herë të pyes veten: – Pse sapo hapet një derë, mbyllet tjetra ? Pse sy cikllopësh të hanë kaq shumë ?

Çfarë duhet të bëj që jetës time të mos i ik më dielli? Po qiellin me yje ëndrrash si ta ndaloj të mos fiket? A do mundem vallë ta shikoj të lulëzuar pranverën e shpresës edhe në ditët e acarta dimrak ?

Unë ende qëndroj duke trokitur në dyert e shpresës edhe pse çelsin e fatit e kam humbur dhe zemrën e kam të therur nga “thikat e braktisjes”…

Mos më pyesni se ku e gjej forcën për të buzëqeshur dhe pse

qëndrojnë të gjitha dyert e mbyllura për mua!

Do vazhdoj të udhëtoj ,jetoj me shpirtin e pastër dhe të flirtoj me mendimin tim të brishtë ashtu mes hapsirave boshe duke bërë ecejake përpara dyerve të mbyllura .Ndoshta ndryshku i tyre do lahet me lotët e mi edhe pse askush si sheh dot në çesternen time të fshehur…

Nga Begu Davë .!

About Post Author