Trulltarë-Vladimir Muça


Aromë përhapin pishat e Lurës,

Aerosoli në qiell merr arratinë;

Nën tinguj festiv natyra gazmohet,

Gjithkush ngado vjel mirësinë.

Gjallim i jetës në sy harbon

Në lëndinën pështaf të nënës natyrë,

Pyllnajës me zogj, ku koha s’mbaron

Larg ndotjes ajrore, hipokrizisë.

Atje dhe nata gurgullon si krua,

Ylli i karvanit feks anë e kënd;

Eja e dashur vallzo me mua,

Rreth liqeneve gjithë gaz e shend.

Një sharman ngrihet nga liqeni,

Mbushur me dëshira si një çardash,

Për ty e mua end dy flatra

Ta çojmë ditën pash në pash.

Oh!.Fluturo e dashur në dheun amë,

Mjegullën e Ferrarës lëre në padurim,

Mbi detë, drejt lindjes si një piskamë,

Atje ku rrezja e parë zgjon çdo agim.

Në ankthin e mërgimit njeriu

Sekretet e vendlindjes kërkon,

Dëshira e shpirtit nga lindja,

Nga dehja e natyrës i zgjon.