Tyran Prizren Spahiu-Roman:”Prapa kurrë më!


ROMAN

PRAPA KURRË MË!

PJESA E DYTË

Derisa isha në shkollën e mesme, u futa në një grup të rinjsh nga shkolla. Të parën gjë që e bëra ishte tatuazh në qafë, “cut me here”, “më pre këtu” dhe kjo ishte shenja e parë se do bashkohem familjes së madhe Capo Bologneze. Fillova të mos shkoj në shkollë dhe arrita të bëhem diler në sasi të vogël. Shpejt, shumë shpejt u avancova në sasi më të madhe dhe më cilësore, drogat që kanë vleftë të madhe në rrugë. Kohë kjo kur edhe vet fillova të fiksohem.

Atë natë, shiu i imët të tërin më lagu, humba kontrollin kur më ndali policia me drogë në xhep! Pasi që isha i mitur, më dënuan gjashtë muaj në shtëpinë e përmirësimit, pastaj më dërguan në malet Utah Brat Camp.

Jetonim pa telefon, pa drogë, pa ndeje, pa alkool! E gjithë kjo ishte një vrasje e lirisë sime. Në fund, ishte një dështim, shpenzuan para, kohë, fundi i paaritur! Pas gjashtë muaj më rikthyen në burgun e përmirësimit për raste më të rënda. Kalova aty edhe shtatë muaj, më tepër krijonim probleme, iknim natën jashtë pa u diktuar fare, edhe në rast se na zinin shkonim te psikologu i cili kishte shumë simpati për ne, ky, burrë i dheut ishte në fund të karierës, i lodhur nga puna, angazhimet, luftë për edukim, por mbi të gjitha ne të gjithë dinim se ai vet djalin e kishte rast problematik.

Ditët e para në liri ishin më se të nevojshme, një herë në javë obligim kisha të lajmërohem në polici. U ktheva në rrugë, aty ku e kisha edhe vendin, punë e lehtë, fitim i majmë. Rrjedhnin vitet, arrita të blej banesë, në të cilën largohesha kur ishte situata e nxehtë jashtë.

Një ditë të bukur maji mu ofrua Sanchez, polici të cilin e njihnim gati të gjithë. Alb ashtu më thërriste, mu drejtua me kërkesën e tij të fëlliqtë, të bëhem urith për ardhjen e mallit në liman dhe të njoftoj!

-Alb, e di se së shpejti në depon Saint, prapa Fifth Avenue do ju vjen malli. Kam nevojë për ndihmën tënde, ti do jesh i pastër, kërkoj të më lajmëron ditën dhe orën e saktë, kuptove?

Më zuri në kurth, ishte një polic që gjithandej kishte njerëz që punonin për te.

-Unë nuk di gjë, nuk i njoh ata njerëz, nuk di ç’flisni ju!

Nxori do foto nga xhepi, ishim ne të katër, të gjithë dilerët, tre prej tyre ishin në burg, unë ende i lirë, isha në kënd të fotos. Mallkuar kjoftë kur ka bërë këtë foto!

-Sheh, të gjitha i di, ke kujdes, ky është numri im i telefonit, më lajmëro në rast se nuk don të pëson edhe ti, përndryshe do të të fus në kotec. Fotoja mund të të dërgon për shumë vite në burg, kupton?

Lëkunda kokën në shenjë pohimi. Pa e përshëndetur u largova, bastard i ndyrë, gjysmë vrapimthi shkova te Dino, ishte i zënë, por më pranoi pas pak kohe.

-Shef, mu ofrua idioti Sanchez, kërkoi nga unë të tregoj datën e arritjes së mallit në Fifth Avenue!

Në shenjë se kuptoi, menjëherë ftoi dy persona të cilët ishin në anën e tij të majtë, Donsin dhe Willin.

-Dëgjuat, shkoni pastroni terenin dhe mos të ngel asnjë shenjë e lënë, përsërisë asnjë shenjë, futeni brenda kompjuterët e doganuar, mallin e pastër, merrni një vashëz të qëndron në zyre, kuptoni, nuk dua asnjë gabim, shkoni.

Për herë të parë dha urdhëra në praninë time, kjo ka domethënie se besimi tek unë po rritej, ky gjest më bëri krenar.

-Alb je djalë besnik, për këtë do të shpërblehesh, tani disa ditë largohu nga rruga, pastaj të thërrasim, kuptove?

-Kuptova, faleminderit shumë!

Ishin momentet kur ndjeva se do ngritem lart në pozitë, Tani isha nëntëmbdhjetë vjeç, doja të ngjitesha në botën e krimit sa më lart që mundem. Ne shqiptarët, na konsideronin si njerëz besnik dhe të dhunshëm, vërtet ishte ashtu. Ishim shumë të lidhur mes veti. Katër shqiptarë punonin në Capo Bologneze në pjesët e ndryshme të qytetit. Fati im apo rastësi fatlume nuk takova më Sanchez. Nuk kaluan as një muaj, isha i dërguar në Manhattan Cruise Terminal të bëjë mbikëqyrjen e mallit nga Columbia. Rrjedhte çdo gjë më se mirë, kur u dëgjuan sirenat e policisë, kohë nuk kishim të reagojmë as të kalkulojmë, na rrethuan! Nën britmat e shumtë na futën në furgone dhe ende pa u kthjellur më dënuan me gjashtë vite burg. Sasia ishte e madhe, urithët e bën punën e vet, na tradhtuan. Rreshtimi filloi në burg, nuk kam njohuri a arriti Dino të zbuloj urithin, në rast se ende jo me siguri punon në atë drejtim.

Në burg ne ishim më të fortit, por edhe ata të tjerët shquheshin për brutalitet. Lufta klanore për mbijetesë pandërprerë ishte në lëvizje.

Ky është burg i sigurisë së lartë. Qindra e qindra të burgosurë, të gjithë konsiderohen si të rrezikshëm dhe kërkohet kujdes më se i shtuar nga ana e gardianëve.

Shumica prej nesh jemi të involvuar në krime të rënda, drogë, vrasje, prostitucion…pjesa dërrmuese pohon se janë të pafajshëm… por jo, nuk janë…

Jam ndër të rrallët që jam i dënuar me vetëm gjashtë vite privim lirie. Në ketë hapësirë të vogël quajtur Klani Bologneze bardhë jemi të gjithë. Në asnjë mënyrë nuk lejohet që edhe të ngjyrosurit, latinët, lindorët të jenë pjesë as këtu as atje jashtë.

Vëmendje, kujdesi tërë kohën mbretëron, në kuzhinë, banjë, shetitore, përndryshe mund të pësojmë rëndë. Luftë e pandërprerë ndodhë, ndarë jemi në disa tabore, kryesojmë bardhët, të tjerët vazhdimisht janë pjesë që duhet luftuar me çdo kusht. Ata kërcënojnë punën tonë, janë mjaft besnik ndaj njëri tjetrit, organizuar dhe e kanë kodin e tyre të besnikërisë, përndryshe i pret dënimi më i rëndë, likuidimi. Ka edhe tabore tjera, janë të vogla nuk çojnë peshë. Më së tepërmi ka të bardhë dhe të ngjyrosur. Lindorët janë me numër më të vogël por janë tejet të rrezikshëm. Latinosët janë të tërhjekur po shumë të lidhur. Një prej tyre në rast se preket nuk ka hapësirë për bisedë, veprojnë instiktivisht, nuk mbajnë anën e asnjë klani.

Urrejtja shihej në çdo hap, tentim për dominim në burg ishte më se evidente. Fjalët poshtëruese, hedhja e gotave, lugëve ndodhte gati çdo ditë. Atë ditë posa dola nga punëtoria ku isha i caktuar të përfitoj dhe edukohem në profesionin e bravarisë, u kacafyta në oborr me klanin e afrikanëve. Ishte njeri prej tyre që na kishte përcjellur dhe tradhtuar për arritjen e një sasie të vogël brenda, andaj vendosa të hakmerrem, prisja momentin e duhur. Arroganti, gjegjësisht tradhtari fizikisht i ndërtuar mirë, dëgjova rastësisht apo qe lojë e kurdisur kur tha se ne nuk meritojnë të thithim ajrin e natyrës pasi që jemi njerëz të ndyrë dhe frikacak sidomos klani Bologneze. Më tmerruan këto fjalë, ishte shenjë se erdhi koha ime, e godita me tërë fuqinë time të mundshme mes fytyrës, shpërtheu gjaku thua se kam prerë pulën, u mbledhën gati të gjithë kur filloi qërimi hesapesh. Një kohë të konsiderueshëm ishim të lejuar të derdhnim urrejtjen e akumuluar, kah fundi kur ishim të lodhur, na rrethuan gardianët, britmat e tyre dëgjoheshin edhe jashtë mureve. Nga kjo dola mjaft i mavijosur dhe i përgjakur.

Në shenjë përkrahjeje pashë momentin kur bosi i Bolognezes në burg Enriko vetëm u buzëqesh. Por dreqi nuk të len rahat, po atë pasdite vonë, ishte koha kur bënim banjo. Isha bërë me sapun dhe as nuk vërejta kur mu ofrua, më qëlloi në krahun e majtë, nuk di me çka, por me siguri ishte mjet i fortë, prerës, derisa ktheva kokën qe zhdukur. Gjaku përhapej rrëfyeshëm në ujë, kisha dhimbje të durueshëm, në krahasim me gjakun që rrjedhte si përrua. Si gjysmë i dehur bashkë me gardianin i cili në ndërkohë erdhi shkuam në ambulancë për trajtim mjekësor. Askush asgjë nuk fliste. Më mbajtën disa ditë nën kujdesin e tyre, pastaj më rikthyen në qeli. Tani më kam njohuri definitive se arroganti ishte ai që më plagosi.

Ditët kalonin, ishte vetëm pyetje momenti kur do ndeshem me të. Dija se përfundimisht do hakmerrem. Kjo ishte e vetmja gjë që më duhet të bëj, përndryshe imazhi im do zbehet, më duhet të gjej momentin e duhur dhe mjet të mprehtë.

About Post Author