Tyran Prizren Spahiu-Rrënoja e botës së bukur


Tyran Prizren Spahiu

Lagur, i mllefosur, pa kulm mbi kokë

endet i hutuar poshtë e lart

humburi në jetë pret të mbyllen dyqanet

kohë kur mund të mbledh copëza buke.

*

Urren kohën e mbetur të jetës

penda e thyer kujton të kaluarën

zbehen emocionet e bamirësisë

lutet që këtë natë të gjen vend për strehim.

*

Lotët e dëshpërimit askush nuk vëren

pikojnë nga faqet e rrudhosura

turpërohet se duhet shtrirë dorën

ndaj me shallin e zezë mbulon fytyrën e mavijosur.

*

Matanë balonët me mbishkrim njoftojnë se festohet

ditëlindjen rinia kremton

këndohet me zë të lartë

notat e kitarës ahengun madhështojnë.

*

Përvoja e hidhur ushqim paralajmëron

pjatat e plastikës mbushur me mish e sallatë

gjysma do mbetet e pangrënë

kohë e shkëlqyer stomaku të mbushet.

*

Gjaku vlon, zemra rreh, ndjenjat ngacmojnë

nxorri nga xhepi qesen e vjetër

mbushur fund e krye u nis në drejtim të njohur

miqtë e moshës sonte do ngopen.

Vargje poetike

VARGJET FRYMOJNË