Udha e lotit-Seti Pezaku Vladi


Eeh, kjo udhë e lotit varur po na rri

Si malit të lartë mjegullat me shi!

Po ikën pranvera e tokës sonë rënkuar

Se ç’kope humnerash e presin, kushedi!

Pse ti moj pranverë kokën i kthen mallit,

Lotit rrjedhur krojesh nga bora mbuluar?!

Prapa po len këngët, prushin që nuk shuhet,

Merr me vete fjalën e shqipes së pashuar.

Ecën dhembja jote udhëve me shkrepa

Nëpër copa hëne, nëpër terre pyjesh;

Ndizen telefonat flasin zemra nënash

Me ty pelegrine nëpër xixa yjesh.

Nga pas po lë hënën pikëlluar pas një reje,

Tokën ëndërrdjegur, thëngjill ndezur brenda.

Se ku po të sos kjo udha jonë e lotit,

Ndoshta pas ylberesh mbetur në legjenda.