Ujku:Vaso Papaj


Ujku

Përballë të kam.

Me ujk më ngjan.

Prapa syzeve ca sy të zinj.

Me një buzëqeshje false,

Prerë diku, një Zot e di!?

E bëj durim.

Unë, një kec jam.

Nga zori të kërkova një takim.

Si ujk pas skrivanisë,

Lyer me maskën miell,

Se si m’u duke.

Ndoshta një palaço veshur me diell.

Si në një film socrealist

Me zë, o pa zë,

Që kërkon të më detyrojë,

Një “po” të them gjithnjë.

Fundosur i tëri në kolltuk,

Provon të më godasësh

Me atë maskën tënde lyer me miell.

Por mielli më nuk vlen.

Nuk më gënjen.

Tashmë unë atë përrallën e di mirë,

E të të them qoftë dhe një “po”,

Nuk kam dëshirë.

Seç pyet!…

Gjëra pa kuptim.

Nga ato që i përkasin ujkut.

Një ujku që kërkon bashkëpunim.

Por këtë mos ma kërko mua.

S’e kam dashur, s’e dua.

Ndoshta të ndihmojnë

Ujqit e tjerë të qytetit tim.

E kot të flas.

Ngrihem.

Ç’ta zgjas!?…

Me një ujk

S’mund të rri më.

Ti

Edhe në dëgjon gjithçka,

Nuk ndjen asgjë.