Ulliri-Vaso Papaj


Pak të zgjatem në dritare,

Degë ulliri prek me dorë.

Sa dëshirë do të kisha sonte,

Me dy degë, të bëj kurorë!

Jo kurorë për puthadorët,

As te mbretër nuk e çoj.

E desha për paqësorët,

Shpirtin tim të ma qetësojë.

Rrënjëthelli është i plakur

Dhe në trung zgërbonja plot.

Çdo zgërbonjë, një gojë e hapur,

Shpellë që fsheh gëzim dhe lotë.

Thonë s’ka paqe nën ullinj.

Do ta pyes: Nuk ka vërtetë?

Se po grinden dy kushërinj,

S’kisha parë gjëkund një jetë.

Me lirinë dhe pasurinë,

Pleq, të rinj, dilni në shesh.

Keni humbur dashurinë,

Sheh ulliri dhe buzëqesh.