Unë dhe ëndërra hileqare-Maliq Micka

Maliq Micka

UNË DHE ËNDËRRA HILEQARE.

Një natë përhumbur në ëndërr,

U gjënda ku grinden retë,

Ku shtrin këmbët këndrevica,

M’blodha çaj dhe pak salep.

Brënda ëndrrës i përhumbur,

E gjej veten buzë shkëmbit,

Aty ku qëndron kalaja,

Zonja e rëndë e ati vëndi.

Mora posht shtegun sekret,

Në pjesak dirsur jam sosur,

Të pi ujë e të freskohem,

Te kroi me ujë të plevitosur.

I shastisur brënda ëndrrës,

Më thërret një zë nga brënda,

Nuk e di si më gënjeu,

Më thot je në gji te mëma.

Kroi me ujë të plevitosur,

Çuditrisht pik ujë nuk shtie,

Unë frymoj etur mbi shtrat,

Si lis i tharë në korie.

Qënkej ëndërr hileqare,

Kroin, bukur ma pati stisur,

Unë për kroin ujë plevitosur,

Qesh lemerisur qesh zhuritur.