UNË JETOJ PËR ATA SY TË SHKRUAR!
——-
Eh, sa po më lodh kjo dashuri,
Malli për ty çdo ditë po m’tret,
Herë dua të të ngërthej në gji,
E herë kokën n’prehrin tënd t’mbështes.
Mëngjeseve më vesë çdo ditë të prita,
Pas teje renda, e po rend si i marrë,
Ti vjen, por m’thua kam punë ika,
Herë-herë rri gjatë e më shuan mallë.
Mbrëmë në ëndërr lehtë më erdhe,
T’putha n’buzë ku t’ndizej flakë,
Sa shpejt m’u zhduke sikur era,
Fërkova sytë askund s’të pashë.
Po t’them, veç për ty rrah zemra ime,
Hija jote, kudo më ndjek nga pas,
Kjo dashuri jo, s’mbetet vegime,
Se për ty shpirti po më djeg si zjarr.
Por do ta zgjidh këtë një herë e mirë,
Kur të shkosh me shtamën n’krua,
Do t’rrëmbej në kraht’ e mi,
Unë jetoj për ata sy të shkruar!