URA
Sa shumë u lënduan mes tyre dy vëllezër!
Aq sa thanë: Kthim mbrapa më nuk ka
Zërin s’donin t’ia dëgjonin njëri-tjetrit
Fytyrën, kurrsesi për t’ia parë…
Një vijë kulluese kishin si kufi
për pak kohë në hendek u shndërrua.
Gërmo një ditë, gërmo ditën tjetër
Hendeku i vockël, u bë përrua.
Tek i madhi vëlla që fort ishte mërzitur
Punë të kërkojë, erdhi një marangoz.
I acarti dimër në derë kishte trokitur.
Ai s’kish çati, mbulesë, as rrogoz.
Vëllai i madh, u mendua ca…
e pyeti në hendekun dinte ta zgjeronte,
Kështu, vëllanë e vogël, s’do ta shihte më
Përroi kur prurjet t’i shtonte
-Të qëndrojmë të ndarë, për mot e për jetë!
E zëri iu ngjir në fyt iu bë lëmsh
-Zgjeroje sa të mundesh atë hendek të shkretë
më pas u largua si i dalë prej mendsh…
Mirë, -tha marangozi, ashtu, le të bëhet.
Vijoi të gërmoi me të madh nxitim.
Më pas një urë të bukur, mbi hendek ndërtoi.
Një ditë të shërbente mes tyre si kalim.
Kur vëllai i madh, urën e vështroi
I pafrymë mbeti nga e saja bukuri
S’bëri dot në kohë të thoshte dy fjalë.
Kur pa të mbërrijë mbi të vëllanë e tij.
I vogli e përqafoi; -rëndë tha jam gabuar.
Të falënderoj pa fund, për urën o vëlla!
Fjalët që t’i thashë, unë kurrë s’i kam menduar.
Ty të dua shumë, për mua je gjithçka!
I madhi i shtangur kërkonte marangozin.
Ai po qante; Në sy tha, m’ hyri rërë.
Po shkoj, o vëllezër, shëndet ju të keni
Po shkoj, se janë shtuar shumë urat për të bërë!