Urës së palëve-Qerim Bajrami


Me shkrirjen e borës-

erë lagështie bie,

dita diell,

aromë.

Një shkronjë e zjarrtë

pranë sofrës!

Fytyra e plakut,

mbuluar me rrudha,

nga një shenjë

në çdo ndjenjë dhembshurie!

Nën potkonjtë e kuajve

eh, saherë kërcitnin gurët

Urës së Palëve!

Tre mijë vjet

kusarët kalimthi

këtyre viseve shprushnin

harresën shekullore!

Karvanë ushtarësh

nga Manastiri, Shkupi

e deri në Shkodër,

me armët përpjetë

në formë gjarpri,

zdergjur Karadakut!

Tyta të skuqura

që villnin tym,

që villnin gjak

Urës së Palëve!

Maja e Zezë

vezullon –

ferkut!

Gjaku ynë i shenjtë

më se tre mijë vjet

nuk e ndërroi

të kuqen ngjyrë!

KULLA E KARADAKUT

Shekujt e përgjakur

historia

në atë kullë.

Qilima të kuq…

përmbi kreshta

lisa…

në atë Kullë

roje përherë bëjnë

plisat!

SYRIT PISHË

/Ushtarit të panjohur/

Me këpucët me baltë

Shkelur e ke Kosharen,

Pashtrikun…

Në këto trojet tona,

përmbi çizmen e shkaut,

në tokën e kuqe gjak,

u linde dhe u rrite Ti!

Në shtëpi të shkretuar

shtëpi të djegura.

Flakë, tym, shkrumb e hi!

Në Junik, në Qafë Morinë,

në këto trojet tona,

në majat e larta, ku preket qielli,

në ato lugina zjarri

u linde dhe vdiqe Ti!

Lule tërfili me tri fletë

s’e prite lirinë

s’prite të të thërrasin për dasmë

s’prite lavde, dekorata

se

u linde dhe vdiqe për liri: Ti!

DHEMBJE E NDEZUR FLAKË

Në atë natë me yje

kur frynte veriu i tërbuar

kafshoheshin majat e bredhave

të rënduar bore.

Në atë natë me yje

në puhi pranverore,

putheshin aguliçet.

Flokë të kërleshur

buzë të shkrumbuara

e lugut të gjoksit

ndjej rrëke akullnajash të trasha

si të majave të Mont Everestit

shkrirë je si Etna –

vullkan zjarri.

Si Janusi mitologjik

mjellmë krahëthyer

dhembje e ndezur flakë

gurrë bjeshkësh të mallkuara

tash veten e ndjej të lehtë

si pendla e qyqes

shqiponja të zeza-

korbi

shtrëngim tëmthash

me gishtërinjtë e plasaritur.

KOMETA OGURZEZË MBI BALLKAN

Një kometë e ftohtë

ogurzezë

sërish fluturon qiellit

mbi Ballkan

vërdallë sillet

mbi Kosovë

fitil baruti

ajo xixë e vogël

zjarr i madh

flakë

gërmadha

frikë, ankth, rrokopujë

nga çizmja serbe

Kosovë e përvëluar.

Oj Evropë e luksit,

unë me opingë të grisur;

Knjaz Llazari

Ka hyrë në shpirtin e Milloshit

Betejën e Kosovës

do m’e përsërit,

zhdukjen e shqiptarëve

do m’e përsërit.

Sërish farën pansllave

për të mbjellë.

A po sheh

o popull

një kometë të ftohtë!