VALLJA BALLKANASE


Puntorie Muça Ziba

(Kur zgjat qafën harbimi…)

Hershëm filloi plugimi i dheut
plugimi i parë
plugimi i dytë
eh,mbështetëm këmbët
mbi një pendë dhé
si njerëz.

Dheu rënkon kur piqen qershitë
kur piqen kumbullat trinjake,
duar shkëputurit
nuk plugojnë hijshëm
nuk heqin valle…

Hej, ikin të mirat
enden erërat
hidhen përpjetë inatçeshat.

Dënesin gurët:
të gjithë të mirët
qenkan më të mirë
qenkan shumë të mirë,
kur kërcejnë ndryshe
kur këndojnë ndryshe.

Vijnë ngricat përsëri
të vdekurit s’përgjigjen ma,
shkëputet vargani i valltarëve
tingujt heshtin përmortshëm.

Vdesin ëndrrat
shpalohen duart
shkëputen gurët
shkëputet hëna nga qielli
përthyhen rrezet
të gjithë dënojnë veten.

Hej, për vallet dyshe ballkanase
askush dert nuk ka…

About Post Author