Vangjel Asllanaj-Meditim për verën që po shkon


Meditim për verën që po shkon.

Vijmë në Shqipëri me mall e kthehemi duke qarë.

Duke qarë jo më nga malli se ai na del që ditën e parë. Duke qarë për realitetin tonë, për vendin tonë, për njerzit tanë , për shtetin tonë që në vend të mbush gropat e mjerimit i shton e i hap më shumë. Pa aftësi profesionale, nëpunës që nuk dinë të të japin një zgjidhje, që nuk dinë të të ofrojnë një alternativë për hallin tënd, nëpunës që të vënë përpara një mijë pengesa për të vetmin motiv ; të japësh nënë dorë rryshfet !!

Dhe betohemi e stërbetohemi që nuk vijmë më, nuk kthehemi më në këtë realitet.

Dhe ne prapë i thyejmë betimet e përbetimet tona e prapë kthehemi e rikthehemi po me të njëjtin mall.

Kthehemi e rikthehemi për vëndin, për gurin , për trojet , për rrugët, për nënën , për babën, për varret …..

Për ato që thotë Poeti ynë :

” Amani për gurin

Gurin e të parëve

Për varret e gjyshëve

Dhe të baballarëve …” ( N.Asllani )

Dhe kthehemi aty për ajrin tonë të pastër, për malin e pastër, për detin e pastër . Në fakt këto janë të natyrës që na ika falë…

Por ikim duke qarë nga një fenomen i bërë tashmë prej 3 dekadash mënyrë jetese.

Një fenomen shkatërrues që quhet korrupsion.

Me rrënjë aq të thella në shumë pak kohë.

Që e thënë thjeshtë,i korruptuar do të thotë i shitur e i blerë.

I shitur sa dua unë e i blerë po aq sa dua unë.

Unë kush ?

Unë pushteti që me duartrokitjet dhe votat tuaja ju betohem se do të krijoj e do të bëj të lulëzojë shteti ynë, shteti për ne, shteti për ju e fëmijët tanë…

Unë pushteti që e dua të gjithë tepsinë më vete për të lehtësuar hallet tuaja !!

Hallet tona i dashur shtet e i shtrenjti pushtet nuk zgjidhen me propagandë, nuk zgjidhen vetëm me rrugët, as me çezmat që i hap e ujë nuk nxjerrin, as me përparimet në fushën digitale ; hallet tona zgjidhen të na heqësh qafë barrën dhe peshën e rëndë të korrupsionit që ua ka hequr dhe vazhdon tu heqë lirinë njerzëve.

Edhe unë u ktheva duke qarë, për ato që thashë më lartë por që të jem i besueshëm po u them dhe përjetimin tim.

Një i afërmi im fitoi një ” nulla osta ” ( një autorizim ) nga shteti italian me të cilin autorizohet konsullata e tij në Vlorë që këtij personi ti japë një vizë në pasaportë për të hyrë i rregullt në Itali.

Dhe pikë. Kaq e thjeshtë është.

Shkojmë në konsullatën e qytetit tonë në Vlorë për vizën dhe na thuhet me të drejtë që do tju pajisim me një numur radhe dhe për rreth 10 ditë do tju pajisim me vizën e autorizuar.

Kalojnë 10 dhe 20 ditë , shkojmë e interesohemi, dhe çdo ditë popull e hallexhinj plot që psisnin radhën “si ariu për thanë në Shëndre” dhe çdo ditë sekserë me hundën përpjetë që të japin përgjigje të thata ,” prit radhën.”

Sekserë që sfidojnë ligjin, sekserë që sfidojnë shtetin, deri dhe atë italian ( thua që ata atje brenda janë aq të pastër ???); sekserë të emëruar në punë nga strukturat përkatëse të shtetit tonë. A thoni që këta tipa sekserësh veprojnë në kokë të tyre pa bekimin e eprorëve ?

Pasi durimi po na ikte na del një tip e na thotë:

– shikoni këtu , po doni të mbaroni punë duhet të jepni 150.000 lekë pasi në jemi në tre dhe i ndajmë, dhe bëjmë që tu djegim radhën e tu fusim me pecedenzë.

E çfarë të bëjë i ziu njeri, i ziu popull ?

Do zbrazë kuletën e varfër për sekserët e shtetit.

Ai që sot drejton vëndin si Kryeministër dhe që unë e simpatizoj shumë se është shumë i zoti e shumë puntor për shumë gjëra dhe që interesohet deri te vogëlsitë besoj duhet ti dijë këto gjëra e shumë e shumë të tjera si këto.

Dhe në se do të mbetet në historinë e vëndit të tij duhet t’u heqë nga kurruzi peshën e madhe të korrupsionit që rëndon mbi popullin e tij !!

Të diel të bukur e sa më pak halle !!

About Post Author