VARGJE NË KRAHËT E FLUTURAVE


VARGJE NË KRAHËT E FLUTURAVE.
—————————————————
Flutura pastaj të marrë dhenë,
T’u tregoj maleve dhe fushave,
” Shkruan vargje një poet me penë,
edhe sipër krahëve të fluturave.”
( D. Agolli.)

Mbasditja ishte shumë e gjatë,
Kur rrija me Eiden, me nipin tim,
Aty tek shtëpia e ime në Divjakë,
Si në mes të pyllit, plot gjelbërim.

Cicëronin zogjtë, përmbi degë,
Duduftoja, gjithë ditën këndonte,
Edhe fluturat vallëzonin mbi shegë,
Ndërsa Eiden pas tyre vraponte.

Dhe nuk po arrinte që t’i kapte dot,
I zëmëruar, pastaj më vinte pranë,
Nga syri mbi faqe i binte një pikë lot,
Një lot fëmije, i pafajshëm që qan.

E përkëdhelja, dhe fort e përqafoja,
Duke ia fshirë pikën e lotin që pikoi,
Dhe për fluturat diçka po i tregoja
Për vargjet që kish shkruar Dritëroi.

I ulur mbi gjurin tim, qetësinë gjenë,
Dhe nuk ishte më, ashtu i pikëlluar
Po i tregoja për poetin, që me penë,
Mbi krah fluturash vargje kish shkruar.

Në krah fluturash, vargjet nisen larg,
Me bukurinë e ngjyrave mbi fletët,
Në çdo krahë fluture, gjen ndonjë varg,
Shkruar me bojë e penë nga poetët.

Prandaj fluturat, plot me ngjyra i gjenë
Se kanë ngjyrat e ylberit përmbi fletët,
Edhe ti kur të rritesh, nipi im Eiden,
Do të shkruash tek fluturat, si poetët.

Dhe nuk do të vraposh pas tyre si tani,
Se fluturat janë si vajzat, të vijnë vetë,
Dhe mbi supin tënd ndonjëra kur të rri,
Të thotë:- më shkruaj një varg si poet.

Petro Sota 12 shtator 2022

About Post Author