Variacionet poetike të Sabit Rrustemit: Timo Mërkuri


Timo Mërkuri

VARIACIONET POETIKE TË SABIT RRUSTEMIT

(Mbi librin poetik “Variacione për lirinë, Rilindja, Prishtinë, 1997 )[1]

Vëllimi poetik “Variacione për lirinë” është libri i tretë[2]poetik i Sabit Rrustemit me veçoritë e tij stilistikore dhe strukturore, shkruar në një periudhë kohe (1989-1996) plot tension, jo vetëm në Kosovë por në gjithë Ballkanin Perëndimor. Ishte koha kur fjala “Liri” ishte kryefjala e popujve të ish Jugosllavisë, ëndrra e hershme e shqiptarëve të Kosovës dhe fjala e parë e vargut të poetëve. Poezitë e këtij vëllimi aktualitetin e patën në periudhën kur u shkruan ndërsa fjala e tyre u dëgjua qartë në kohën kur u botuan. Sepse ato nëpër vargje mbajnë furtuna, si kacekët e Eolit që mbanin erërat, por ndryshe nga ky Zot i ishullit grek që mblidhte erërat e oqeaneve, vargjet e poetit mbajnë furtunën e një shpirti të revoltuar nga mungesa e lirisë dhe mungesat e tjera që sillte kjo. Në popujt e robëruar poezia është i vetmi vend ku poetët jetojnë “në liri” dhe aty rritin fidanin-ideal të lirisë. “Letërsia prodhon qytetërimin, poezia krijon idealin. Prandaj poezia është dëshira e zjarrtë e shpirtit” ka shkruar Viktor Hygo.

Është e natyrëshme që dhe Sabit Rrustemi të kishte atë ëndërr-lirie, varg dhe fjalë të parë në poezinë e tij, por e veçanta e tij është hapësira e gjerë kuptimore që i jep lirisë, stili dhe strukturimi i poezive për lirinë në këtë libër.

I-Qysh në ciklin e parë “Metaforë e etur”, e shkruar në vitin 1994 dhe botuar fillimisht në formën e një “Albumi poetik” nën titullin “Natyrë me vaj” shfaqet në vargje dykuptimshmëria e shprehjes së poetit:

Pse të dua

Ndëshkime të rralla gatuhen

E një mal vuajtjesh

ndërkohë që vargjet: “Ti vonohesh/Sytë m’i shterrë në pritje” dhe

strofa e fundit: “Bota si botë/Kot ëndërron paqen/Nëse buzët e mia me tuat

s’çapen” të krijon përshtypjen se ndoshta nuk e kanë vendin te kjo poezi, të cilën ne e menduam si poezi (vetëm) për lirinë, një liri që nënkupton çlirimin e vendit nga agresorët. Aktualisht te kjo poezi nis e çfaqet një veçanti, të cilin do ta gjejmë pothuaj në të gjithë krijimet e këtij libri dhe që është i kushtëzuar nga koha kur është shkruar: poezia është krijuar në mënyrë të tillë që: ndërsa hymnizohet liria (nga robëria serbe), ky hymn shfaqet si këngë për dashurinë:

“Nën qerpikët e një vashe

Erë dheu me grishë

Për flijim të ri

pavarësisht se strofa e mësipërme pasonte vargjet kuptimplota:

“Apo (është. shën. im) ai avull dëshire

Me emrin liri”

madje jo në pak raste, duke shpërfillur rrezikun me guximin e tij djaloshar shprehet dukshëm i gatshëm për të sakrifikuar dashurinë për lirinë :

“E dashur

Në më do flijom

Në të dua flijohu

Liria nuk është liri

Nëse nuk ia falim nga një dashuri”

“Diçka e lirtë”

Rendja e autorit për liri: “Hap pas hapi kërkoj lirine” nuk e ul apo zbeh vlerën e artit të tij poetik, përkundrazi ai shpesh na befason me vargje brilante kushtuar të dashurës:

“Dora ime

Zog i ngrirë dëshire

Të të prekë matet”

Poeti qëllimisht i ka bashkuar në një lirinë dhe dashurinë, jo vetëm për t’u “strehuar”pas metaforave nga censorët, por në radhë të parë për të qartësuar idenë se ato s’mund të egzistojnë lumturisht të ndara nga njera tjetra.

“Zë e shembet shtëpia

Braktiset dhe nga dashuria

Se mungon oh

Erë ëmbëla liria”

Është liria ajo që i jep jetë dashurisë:

Po ta kisha

Ah po ta kisha lirinë

Projektin për shtëpinë e re

Do ta filloja e mbaroja

I buzëqeshur”

ndërsa dashuria është shprehja dhe forma më e lartë dhe më e plotë e lirisë së njeriut, pse ajo është edhe liri nga zakonet, traditat, paragjykimet që mbart edhe vetë njeriu.

II-Në kuadër të krijimtarisë poetike si revoltë në periudhë pushtimi ju them se: të jesh poet nuk është një lojë. Të jesh poet në kohë robërie do të thotë të jesh një prijës me fjalë dhe ide të shprehura me art poetik, të ndezësh yjet e shpresës netëve të errëta të robërisë, të gjesh manushaqen e prillit ende nën dëborë. Në konceptin e poetit liria si fjalë, si nocion, figurë apo dhe si emër është një nevojë dhe kërkesë për ta pasur atë që të mungon, që e dëshiron, ku herë shihet si gjakim i parreshtur atdhetar: “Pa një udhë gjak nuk rrëmbehet / Nga ai tjetri” e herë si një vajzë që ëndërrohet parreshtur: “Të dëshiroj pse nuk të kam / N’mungesë tënde i robëruar jam”. Vetëm e parë në këtë këndvështrim është e pranueshme që poeti e bashkon lirinë me dashurinë në një të vetme, jo vetëm në konceptin metaforik për t’ju shmangur censurës, por dhe në filozofinë universale si domosdoshmëri e jetës.

Këto poezi moderne të shkruara në një kohë plot tensionesh për egzistencë dhe liri, janë nga ato poezi që me kalimin e kohës jo vetëm që nuk vjetërohen, por vlera e tyre ritetnë shumë drejtime. Këto nuk janë poezi të një stine lufte, konflikti që pasqyrohet është i natyrës universale dhe vlera e tyre është e përherëshme. Arti i tyre është floriri në të cilën janë derdhur në vargje, i cili nuk lejon ”ndryshkjen”.

Duke shfrytëzuar dimensionet universale të lirisë së dashurisë poeti instiktivisht shkruan ungjillin e tij të dashurisë:

“Në fillim isha unë

Pastaj Ajo

Më vonë rrodhën fjalët

Prej buzësh tona”

dhe të duket se sipas këtij ungjilli, bota: “Edhe më e bukur u bë/Sall tepër e vogël ngeli/Në raport me dashurinë”.

Cikli i parë “Metaforë e etur” është i lidhur organikisht me ciklin e nëntë “Nuk e pranon flijimin tim” dhe sëbashku i japin idenë librit si një qiell plot me yje lirie, por duhet të theksojmë se te cikli i fundit, bukuria metaforike, muzikaliteti i vargut dhe kuptimshmëria e fjalës është e një niveli të epërm, edhe pse shpesh ndërhyn në mes një vijë melodike dhimbje baladash:

Ajo më buzëqeshi dhimbshëm

Si një dashuri

Që i mbyllet dera

Aty te pragu

E të kujton përmes një balade

për ta mbyllur me vargjet: “Mal i dendur ëndrre / Sa më humbi ëndrrash liria”, mbyllje që bie si një këmbanë në Kosovën e kohës.

III-Mund të flisja për bukurinë e karafiltë të cikleve “Ma grishte të bukurën”, “Kuvendime me detin”, “Tagri i mosdëgjimit” etj. apo për metaforën e përsosur të poezisë “Menopauza e këpucëve”, mund t’i analizoja të nëntë ciklet me rradhë, që të kujtojnë, jo rastësisht nëntë rrathët e ferrit, duke na lënë të kuptojmë se poeti i ka shkruar duke kaluar nëpër këto rrathë (ferri) por druhem se do përsërit veten. P.sh. cikli i dytë “Ma grishe të bukurën” shkruar gjatë viteve 1989-1990 ka lidhje jo vetëm kohore me ciklin e katërt “Tagri i mosdëgjimit” dhe ciklin e pestë “Kuvendime me detin”, pse poezitë e tyre i përkasin kohës kur poeti kryente shërbimin ushtarak (15 mars 1989-16 mars 1990) në aeroportin e qytetit Pula në Kroaci, një qytet i bukur bregdetar me resurse antike turistike, por që ishte shndërruar në bazë ushtarake, falë edhe mardhënieve të acaruara të ish Jugosllavisë me Italinë.

Specifikisht te ky libër mund të them se ankthi, stresi, tensioni i poetit është i pranishëm në çdo varg, gjë që i bën poezitë të duken në leximin e parë si një tufë karafilash gonxhe porsa-çelur që drithërohen nën një rrymë ajri të ftohtë që kalon rastësisht në obor të shtëpisë ku janë mbjellur. Poeti i ka përjetuar situatat për të cilat shkruan, i fshehu në shpirt, si fara nën tokë emocionet e situatave, u krijoi klimën e ngrohtë me frymëzimin dhe talentin e tij dhe kur mbinë në letër pa se ishin karafila.

Në qoftë se në ciklin “Ma grishe të bukurën” do ta shikonim më vete, atë do ta vlerësonim si një tufë karafilash në një çast dashurie, por menjëherë do ndjenim se në mes të dashuruarve është një situatë distancuese, shërbimi ushtarak:

Sikur ta dija që të ëndrroj ty

Do t’i mbyllja pak këta sy

Nuk është thjeshtë shërbimi i detyrueshëm ushtarak shkaku i distances , shkaku është se shërbimi ushtarak i shqiptarëve në ushtrinë jugosllave kërkonte një vigjilencë të dyfishtë prej tyre, pasi kudo në zinxhirin komandues ishin serbët, të gatshëm dhe të etur për veprime të dhunshme ndaj tyre, ndaj të shkruaje poezi të tilla ishte si të këndoje me litarin në grykë. Pse aty në repartrin ushtarakt, kur shkoi:

“Na urdhëroi t’i zhvishnim

Gjithçka që kishim prej shtëpie

Madje edhe kujtimet

Fytyrat e nënave

Mrrolat e etërve

Lotët e të dashurave

..ndërsa jetesa ishte “Monotoni e gjatë një vit”.

Poeti i shkruante poezitë në dhomën e fjetjes , me gjasë si letra për familjen dhe në çdo dy javë kur mirrte lirdalje për në qytet, ia postonte familjes dhe një miku të tij në Prishtinë[3], madje dhe botimin në revista ose pjesmarjen në konkurse (anonim, me shifër jo me emër) e bënte nëpërmjet tyre. Sabit Rrustemit i duhej që të mbante “ilegal” brenda vetes talentin, frymëzimin dhe krijimin e tij poetik, ndaj ne, duke parë nivelin artistik të poezisë së tij, karakterin jo personal të saj, e vlerësuar kjo në sakrificat e bëra për krijimin dhe publikimin e tyre, krijojmë vizionin e një qëndrese epike prej poetit, çka na shtyn ta shohim poezinë e tij më shumë se një krijimtari letrare dhe atë vetë më shumë se një poet.

IV-Ajo që tërheq vëmendjen është cikli i tetë “Parku me kërpudha” ku autori jep poetikisht përshtypjet e tij në dy vizita në Shqipëri. Është interesant fakti se disa prej poezive të këtij cikli janë botuar në gazetën Drita të vitit 1994, madje janë emetuar në Radio Tirana, ku i çoi Pandeli Koçi.

Sabit Rrustemi vizitën e parë e ka bërë në Shqipëri në verën e vitit 1993 ku ka ndenjur dy ditë dhe herën e dytë ka ardhur në fund të qershorit 1994 kur ka ndenjur dy javë. Arsyeja ishte se në atë kohë Ish Jugosllavia apo “Jugosllavia e mebtur” ( Serbia e Mali I Zi), përmes Sigurimit Shtetëror (UDB-së) goditi kastën ushtarake dhe një pjesë të kuadrove të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, ndërsa një pjesë arriti të arratisej në Shqipëri. Duke dyshuar se dhe ai mund të ishte shënjestër e organeve serbe, Sabit Rrustemi arratiset drejt Shqipërisë, derisa u sigurua se nuk kërkohej prej UDB-së serbe.

Ky cikël nis me poezinë “Shtëpia ku kam munguar”, e cila fillon me vargjet: “Ëndrrën time / E hantë pritja” (në doganë) dhe përfundon më një kuptim të vazhduar: “Për të hyrë / Në shtëpinë ku kam munguar” dhe ankthin e pritjes në doganë e shfryn te “Tagri i pritjes” me vargjet:

Kot

Nuk të zura Shën Naum

Ike

Pa të pështyrë

Nën fund kodre”

pse:

“…doganierët

Këta shenjtorë të ri

Bëjnë ç’dojnë

Herë tallen

Herë falen

Herë të ngacmojnë”.

Është tepër trishtuese heshtja që e priti dhe terri që e pa: “Nuk pamë gjë për besë / Përveç fytyrave tona / Tej xhamave të lodhur”.

Interesant është “takimi” i poetit me bunkerët: ai erdhi në Shqipëri nga jeta ushtarake, pra e dinte shumë mirë se çfarë ishin ata, pamjen e të cilave e përshkruan ftohtë, me një tis të hollë ironie: “Dil në kryeqendër / Në parkun me kërpudha”.

Trishtuese është por asnjë entusiazëm nuk i ngjalli Tirana, madje poezia e këtyre ditëve kullon trishtim e dhimbje “plagësh të reja”:

M’u djersitën këmbët

Udhëve të Tiranës

Lana villte turbull

Me zymtësi pallatesh

.. Mizat në dhomë/

Kullotin mbi plagë të reja”

për ta mbyllur ciklin me vargjet tronditëse:

“Hallexhi jam

Pa një gjysmë atdhe

.. Vetëm veten kërkoj

Aty ku mungoj

E – syve mos m’u vë karar”.

Kaq e hidhur ishte përshtypja e mos gjetjes së vetes në gjysmën e atdheut, sa që syve nuk do t’u besojë.

V-Në kuptimin strukturor, poezitë e librit janë grupuar në nëntë cikle, të cilat kanë një lidhje organike mes tyre deri në atë shkallë sa që e “zhvlerëson“ ndarjen e tyre. Ato ngjajnë si fëmijë të një familjeje që presin nënën dhe atin të kthehen në shtëpi, të riten nën kujdesin e tyre para se të marrin vetë fluturimin në jetë. Sepse këto poezi me një lidhje të madhe organike dhe ngjashmëri strukturore qëndrojnë lirshëm si një e tërë, por gjithashtu kanë vlerën e tyre edhe të botuara veças.

Theksuam më sipër se tipara i dukshëm në poezitë e këtij libri janë intensiteti i ankthit, stresit dhe tensionit shpirtëror në vargje, që të krijon përshtypjen vizive se fjalët nxitojnë të shprehin kuptim-shmërinë e tyre për të zbrazur këtë ngarkesë shpirtërore të poetit:

“Në mes të qytetit

Si në mes të jetës

Më vënë pritë katër ndarje

Më shënjojnë katër shigjeta”

Sabit Rrustemi është një poet që përdori me sukses metaforën poetike duke aritur realizimin e një poezie të nivelit të lartë artistik, duke paraqitur dukshëm, kthjellshëm , rrjedhshëm dhe kuptushëm idenë dhe ndjenjat e tij.

Autori kujdeset edhe për një pamje estetike fotografike të poezive, të cilat kanë një shtat të lartë (me vargje të ngushta), formë që të shton idenë e ecjes së shpejtë për të shkuar diku.

Një lexim i qetë dhe i vëmëndshëm ndërsa të sqaron kuptimin metaforik të poezisë, të mbush shpirtin me kënaqësi estetike për bukurinë e tyre, sidomos kur ndjen dhe dëgjon cicërimën e bukur të fjalëve, të zgjedhura, të latuara e vendosura me kujdes në vargje. S’ke ç’i thua, në këtë libër shijon artin poetik dhe admiron kurajën qytetare të poetit.

Sarandë, më mars 2023

[1] Sabit Rrustemi: “Variacinet epër lirisë” Ndërmarja Botuese ”Rilindja” 1997, Prishtinë. Redaktor Ali Podrimja

[2] Para këtij ishte botuar vëllimi poetik “Ku i la lisat era” viti 1990, “Besoj në një diell” më 1992 si dhe një album poetik i titulluar “Natyrë me vaj” 1994, i cili është përfshirë në këtë libër. Në prozë gjer në këtë vit ka botuar: “Pika e zezë”, tregime 1993 Shkup, “Jetëshkrimi i Sylë Kopernicës” 1994, i cili është një prozë dokumentare. Krijimtaria e gjertanishme e tij përfshin dhjetra vëllime poetike dhe në prozë.

[3]Sabit Rrustemi më tregon se: Poezinë “Këpucët në menopauzë”ia dërgoi Faruk Tashollit, me të cilin kishin banuar në Prishtinë dhe që punonte gazetar në “Bota e re”. Kjo poezi pati zënë vendin e dytë në konkursin e revistës “Zëri i Rinisë” ( 1989 ) Po kështu dhe tregimin “Deti që nuk e shoh “ ( 1989) me të cilin zuri vendin e parë në gazetën studentore Bota e Re.