Vasil Laçi, filmi “Plumba mbi Perandorin”, Mevlan Shanaj dhe Fatbardh Marku-Nga Albert Z. Zholi


Mevlan Shanaj: Duket sikur të gjithë janë dashuruar me këtë film dhe është ndër prodhimet artistike, që ka pasur lirinë artistike në kohë të vështira diktature.

Vasil Laçi, filmi “Plumba mbi Perandorin”, Mevlan Shanaj dhe Fatbardh Marku.

-Natasha Lako e Bashkim Hoxha dhe nën drejtimin e regjisorit Shanaj, ‘Plumba Perandorit’ ktheu Tiranën edhe një herë në pushtimin Italian.

-Fatbardh Marku: Shkronja gjigande për Musolinin befasoi Mehmet Shehun që ndali makinën.

Me rastin e 82-vjetorit të atentatit.

Albert Z. ZHOLI

Më 17 maj 1941, 19-vjeçari, Vasil Laçi i veshur me një kostum kombëtar shqiptar ka sulmuar makinën, e cila transportonte Viktor Emanueli III (që gjithashtu ishte pagëzuar edhe si Mbret i Shqipërisë, pas dorëzimit të Kurorës së Skënderbeut më 12 prill të 1939-ës) dhe Shefqet Bej Vërlacin, kryeministër i Shqipërisë të shoqëruar nga ministrat e qeverisë. Ngjarja ndodhi kur Viktor Emanueli i III-të, kishte mbaruar vizitën e tij shtatë-ditore në Shqipëri dhe po largohej në drejtim të aeroportit të Laprakës, në rrugën e Durrësit, qëllohet disa herë me revolver në drejtim të tij, nga një djalosh 19-vjeçar. Mbreti Viktor Emanueli i III-të shpëtoi pa u qëlluar, vetëm në saj të agjentëve të policisë së fshehtë italiane, që atë ditë ndodheshin në gadishmëri të lartë dhe ia kapën menjëherë revolverin djaloshit nga fshati Piqeras i Sarandës.

Jetëshkrimi

Vasil Laçi (1922 – 26 maj 1941), “Hero i Popullit” shqiptar, ishte patriot shqiptar ,i cili u përpoq të vrasë Mbretin e Italisë dhe uzurpatorin e fronit të Shqipërisë, Viktor Emanueli III dhe Shefqet Bej Vërlacin, kryeministër i Shqipërisë, pas pushtimit nga Italia fashiste. Vasil Laçi lindi në fshatin Piqeras në Shqipërinë jugore afër qytetit të Sarandës në vitin 1922. Ai e kaloi fëmijërinë e tij në Piqeras, ku ai ka studiuar në shkollën fillore lokale. Në 1939 ai u transferua në Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë, pasi u ftua për të punuar atje. Në Tiranë ai zhvilloi marrëdhënie me grupet patriotike, dhe ka ndihmuar disa nga anëtarët e tyre për t’i shpëtuar nga trupat italiane dhe policia.

Atentati i rrallë

Viktor Emanueli III kishte planifikuar një vizitë në Shqipëri që prej 12 prill 1941 dhe një muaj më vonë, ai e bëri vizitën e tij, pasi u sigurua nga policia fashiste italiane e Tiranës, që të gjitha masat e sigurisë ishin marrë. Laçi merr vesh për vizitën e Viktor Emanuelit në Shqipëri, pesëmbëdhjetë ditë para ardhjes së tij, më 2 maj, 1941. Më pas ai arriti të gjejë një punë në “International Hotel”, ku Viktor Emanueli do të qëndrojë, dhe të marrë hua një pistoletë ‘M1915 Beretta’ nga Pëllumb Koka, një tjetër patriot shqiptar.

Situata

Më 17 maj 1941, 19-vjeçari Vasil Laçi, i veshur me një kostum kombëtar shqiptar, ka sulmuar makinën. e cila transportonte Viktor Emanuelin III dhe Shefqet Bej Vërlacin, Kryeministër i Shqipërisë, i shoqëruar nga ministrat e qeverisë. Ai qëlloi katër herë në drejtim të tyre, por pa mundur  të vrasë perandorin.  Laçi u arrestua menjëherë dhe u ekzekutua me varje dhjetë ditë më vonë. Qeveria fashiste italiane ia atribuon sulmin e tij për çështje ekonomike, që ai e kishte me Shefqet Bej Vërlacin, në mënyrë për të parandaluar kryengritjet e mundshme të popullit shqiptar. Ai ishte një nga njerëzit e parë që do t’i jepet pas vdekjes nga ana e qeverisë komuniste shqiptare me titullin “Hero i Popullit” të Shqipërisë. Përpjekja e tij për vrasje ishte dramatizuar së pari si një libër dhe më vonë si një film i prodhuar në 1980, i titulluar “Plumba Perandorit”, sot qëndron  një Monument në Tiranë për të nderuar veprën e tij.

Atentati i djaloshit shqiptar, që qëlloi Viktor Emanuelin e tretë në rrugën e Durrësit, ishte fillimi i një kryengritje të madhe që po përgatitej. Duke folur për këtë atdhetar militant, Enver Hoxha ka thënë: Vasili ishte mjaft guximtar dhe për këtë kishte dhënë prova. Një herë tregojnë se ai rrahu në oborrin e hotelit, dy milicë, bile njërit prej tyre ia hodhi revolen në pus. Një natë kishte fjetur në hotel një njeri, që Vasili e njihte si komunist. Dhe kur shoku i tij i kishte thënë Vasil Laçit se, ai i kishte kërkuar sapunin për t’u larë, Vasili e kishte porositur: “Jo sapunin, po edhe shpirtin po të ta kërkojë ai, t’ia japësh”.

Komenti për atentatin

Ditën që do largohej perandori nga Shqipëria, Vasili ishte zgjuar që me natë dhe i kishte thënë një shoku të tij: “Sot e kam rradhën unë ta përcjell perandorin”. Kishte përqafuar shokun fort dhe kishte dalë nga hoteli. Kudo vërtiteshin spiunë, milicë, karabinierë. Pritej nga çasti në çast të kalonte perandori. “Fillloi kortezhi i veturave. Sovrani, në një veturë të hapur kalonte përmes batalioneve të këmbësorisë, të kalorsisë, të formacioneve fashiste të ndarë më tresh kolonë në të dy anët e rrugëve, ndërsa sipër fluturonin skuadriljet e aeroplanëve…” -kështu shkruante një gazetë e kohës. Në këtë atmosferë pasigurie e frike, rrethuar kudo me helmeta dhe armë, i riu patriot Vasil Laçi, hyri në mes të turmës dhe priti rastin e volitshëm. Ai ngriti dorën e lidhur me fasho mbi helmetat dhe grykët e armëve fashiste dhe qëlloi pesë herë në drejtim të perandorit…Populli shqiptar me dorën e njërit prej bijve të tij, e përcolli me plumb perandorin Viktor Emanulin e Tretë.”

Në librin Yje të Pashuar

Në librin Yje të Pashuar, për këtë ngjarje, midis të tjerash, thuhet: “E bëra vetë, për Shqipërinë / Rroftë Shqipëria e Lirë / Poshtë fashizmi”! Atentati i djaloshit shqiptar, që qëlloi Viktor Emanuelin e Tretë në rrugën e Durrësit, – ka thënë shoku Enver Hoxha, – ishte fillimi i një kryengritjeje të madhe që po përgatitej. Hallall i qoftë qumështi! Shqipërisë tani i duhen kurbanë! – tha nëna e Vasil Laçit, ditën që mësoi për vdekjen e djalit të saj.

Mevlan Shanaj, regjisor i filmit “Plumba Perandorit”

Duket sikur të gjithë janë dashuruar me këtë film dhe është ndër prodhimet artistike, që ka pasur lirinë artistike në kohë të vështira diktature. Duhet thënë se fillmi për kohën ka një trajtim modern , trajtohet heroi në planin lirik me poezi duke shmangur çdo trajtim të deriatëhershëm. Është filmi i një Kinemaje moderne realizuar nga një grup të rinjsh që pasioni dhe përkushtimi më së shumti ka brenda ëndrrën. Krenar për çdo njërin që la gjurmë në atë Film dhe një falënderim Administratës së kohës që na plotësuan çdo kërkesë artistike. Skena masive e atentistit është trajtuar si kronikë! Nuk ka aty trukime artistike nga ana e realizimit! Është model i realizimit. Skenografia është interpretuar sipas fotove të Arkivit shtetëror. Marku në atë film ka bërë një punë të jashtëzakonshme! Sigurisht  kamera e P Kukës interpretimi i K Çaushit, V. Furxhiut mbeten mahnitëse. Ndihem më shumë krenar që në ato vite i dhamë shqiptarëve një vepër artistike kaq jetëgjatë.

Fatbardh Marku, skenografi dhe kostumografi

 “Unë dhe Pali vinim nga një sukses i filmave historik si “Udha e Shkronjave”, ndërsa Mevlani nga sukseset e tij si aktor. Madje pasi isha tërhequr nga TVSh erdhën dhe më morën, ndërsa punoja si dizenjator tek “Nish Vaji” në Elbasan. Pas filmit “Plumba perandorit” mund të themi se u rehabilitova dhe më emëruan skenograf në teatrin Skampa. Filmi u konsiderua një surprizë për kinemanë shqiptare. Dy ishin skenat më të mëdha: Atentati dhe gjyqi. Për gjyqin përdorëm si atelier kishën katolike tek rruga e Kavajës. Ndërkohë ajo shkronjë gjigande për Musolinin aq shumë bënte përshtypje saqë një ditë, ndërsa montonim skenën, ndalon Mehmet Shehu. E kundroi mirë skenën dhe më pas u sqarua dhe u largua. Ndërsa shiko pasazhe të filmit, po ndjej mall, shumë mall, si rrallë herë për punët ku kam qenë pjesë. Kjo pasi ‘Plumba Perandorit’ nuk qe një film i lehtë. Bëhet fjalë për vitet 79′, 80′ dhe nuk ishte e thjeshtë të ndërtoje skenografi të tilla në mes të Tiranës. Skenën e atentatit e kemi xhiruar në shpejtësi të jashtëzakonshme. Ajo skenë është luajtur para parlamentit dhe duhet të mbaronin xhirimet pas do të vinin deputetet, që kishin një seancë parlamentare. Ata në asnjë mënyrë nuk duhet të hynin në parlament, ndërsa ishin flamujt italianë në sfond. Skenografia e filmit “Plumba Perandorit” ishte e rrallë, pasi ishte më shumë një teatër butaforik me skena, që kërkonin shumë punë. Ky film kishte një skenografi që rrallë janë bërë të tilla në filmat shqiptarë. Me skenar të shkruar nga Natasha Lako e Bashkim Hoxha dhe nën drejtimin e regjisorit Shanaj, ‘Plumba Perandorit’ ktheu Tiranën edhe një herë në pushtimin italian. Kishte shumë kureshtje e nostalgji. Njerëz që na afroheshin e na thoshin ‘faleminderit’, madje kishte një siguri të shtuar për elementët e skenografisë aq sa prodhoheshin dhe shkatërroheshin po me procesverbal.

“Dekorata e Flamurit Kombëtar”

Kreu i shtetit vlerësoi më 17 Maj 2020, “Heroin e Popullit” Vasil Laçi (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, me motivacionin e atdhetarit antifashist.

Ilir Meta u shpreh se madhështia e vërtetë e gjestit të Vasil Laçit është se, ai u mëson brezave edhe sot, që një njeri i vetëm, mund të kontribuojë për të dhënë një mesazh të madh dhe frymëzues. Sipas tij, çdo individ i thjeshtë, mund të bëjë pjesën e tij në luftën kundër pushtimit dhe çdo lloj tiranie.

“Se një zjarr patriotizmi në zemrën e një njeriu të thjeshtë mund të sjellë një dritë të madhe në terrin e shtypjes, pushtimit dhe sundimit të një populli. Një liri, që nuk u fitua një herë e përgjithmonë dhe që nuk mund kurrë të jetë e tillë, por që duhet ruajtur dita-ditës ndaj çdo forme diktature apo tiranie. Ndaj çdo regjimi të çdo kohe që shtyp lirinë e fjalës, të mendimit, dhe të drejtave themeltare për të jetuar një jetë të denjë, sovrane dhe me integritet.

Populli shqiptar është një popull i pasur pasi ka në gjirin e vet të rinj e të reja, punëtorë dhe intelektualë, njerëz të zakonshëm, të cilët e duan Shqipërinë dhe do përballen gjithnjë kundër çdo tiranie, madje njerëzit e thjeshtë japin shembujt më të mirë kur elitat korruptohen me tiranitë vendase apo të huaja.

Falë kësaj dashurie për lirinë, shqiptarët nuk do kthehen më kurrë në diktaturë, dhe i madh e i vogël në këtë vend nuk do lejojë instalimin e asnjë regjimi tiranik dhe anti-kombëtar, por ata do ecin përpara krenarë dhe me dinjitet drejt së ardhmes demokratike dhe evropiane të vendit, një ëndërr lirie e heroit tonë Vasil Laçi, një ëndërr e çdo të riu shqiptar edhe sot e përgjithmonë”- tha Meta.

Poezi

Por ç’ndodhi, vallë, ç’ndodhi?

Çfarë ishte ai gjëmim?

Nga turma dikush doli,

shpërtheu flakë e tym.

Buçiti një revole

e fshehur midis lulesh.

Vrapo, o plumb, vrapo,

mbi mbretin të ngulesh!