Vaso Papaj
Më fal, Elvis!
Me fal, Elvis!
Të kisha vënë katër një ditë
Dhe ditë të tjera rresht.
S’e dija që babi të kish mbetur
Me lopatë mbi sup
Anës sheshit tonë “Omonia”,
Që s’dashka kurrë të heshtë.
Më fal, Elvis!
Atë pasdite vonë ma shqeve xhaketën
Rrugicës, në varreza.
“Ta pastroj unë varrin, Zotniii…
Njëmijë lekë,… vetëm…”
Nata ndërkaq
Po hidhte mbi ne ca re të zeza.
Më fal, Elvis!
Befas, sa më njohe, gojëmekur mbete,
Si atje, në klasë,
Kur s’dije sa bënte pesa në katror.
Po me këtë më solle në vete.
Ndaj,kokën ta ngjesha gjatë
Me dhimbje, në kraharor.
