Atdheut sot
Sado që të përpiqem, përbrenda dhe të digjem,
Qoft dhe një ditë pa ty, s’do t’mundem të jetoj.
Mënyrë për të shpëtuar, veç veshë e sy të shuar,
Me ty do jem dhe nëse shtrenjtë këtë do ta pagoj.
Vazhdon të jesh “i keqi”, askush një herë s’të ndreqi
Dhe prapë të iki gjallë nga gjiri yt unë refuzoj.
Se kjo “e keqja” jote s’është e vetmja e kësaj bote,
Një ditë prej ditësh do të desha vërtet ta gjunjëzoj.
Në shpirt kam vetëm paqe, në ballë, në sy, në faqe
E brenda meje s’gjej caqe, ku mos t’më duhesh ti.
Pa ty, njeri i trembur, një qenie e kalamendur
Dhe s’bëhet ndryshe, e di?… Mos pyet përse dhe si.
Më rrjedh, shekuj ndër deje, e kuqja dhe e zeza
E shlodhem sa herë kokën mbi dheun tënd mbështes.
I lutem Zotit, mos të vij një ditë dhe më zë fshesa:
Një herë të qeshësh të të shoh dhe le të vdes.
