Vaso Papaj-Diell jeshil


Vaso Papaj

Diell jeshil

Dielli është jeshil,

Kish thënë Ai

Dhe ne të gjithë heshtëm,

Heshtëm…

Ndoshta e besuam si Perëndi

Dhe pritëm të pikonte klorofil.

Pritëm agimet…

Dielli të ngrinte kokën mbi ullinj

Dhe të ngjante me një gjethe të varur në qiell…

Por jo,

Gjithmonë pamë një portokall,

Herë të plotë, herë gjysmë të tharë,

kokallë.

Të na kenë bërë sytë, vallë?…

Askund nuk pamë diell jeshil.

E prapë dielli ishte i tillë.

E kish thënë Ai.

Heshtja jonë na kish pikuar në tru…

S’po u besoja më syve të mi:

Truri e kish kthyer në klorofil…

About Post Author