Vaso Papaj
E humbëm Atdhenë
E humbëm Atdhenë
Dhe ndoqëm kohën-refugjat duke kërkuar dashurinë,
Netëve, moteleve misteriozë duke pirë kotësinë.
Rastis që grahma frymësh në heshtje të dëgjojmë,
Ku vetëm seks dhe dashuri kurrë nuk bashkjetojnë.
E humbëm Atdhenë
E prapë s’do t’doja kurrë të ngjanim me një Makbeth,
Që bredh, me vdekjen në kurriz dhe vetëm bredh.
Mbyllur përgjithnjë brenda muresh të bërë pis me krim,
Që koha e bie rrotull gjumëvrarë, më kot, pa një pendim.
Ja… E humbëm Atdhenë.
Na e morën derbederët dhe e lozën në kumar.
Na bënë të qajmë, me njerëzit më të shtrenjtë, të ndarë.
Vallë, do të thithim pak nga ajri i tij, qoftë edhe një ditë?
A do t’ia puthim një grusht dhè, kur do na lënë fuqitë?
E humbëm, e humbëm Atdhenë …
Po s’ishim ne,… ishin ata pa shpirt…
