Vaso Papaj-Ëndërr e brishtë


Ëndërr e brishtë

Shpesh ke ndjerë në veten time

Një boshllëk që të thërret.

Shkoji pranë që të më njohësh

Nëse kam shpirt të vërtetë.

E çfarë jam në fund të fundit!?

Jam një pikë në gjithësi.

Një ëndërr e brishtë e Zotit,

Në një trup, dhuratë e tij.

Sytë më kanë ngjyrën e qiellit.

E di mirë, një herë do t’vdesin.

Po një ditë prapë do rishfaqen,

Pafundësisht mbi ty do t’mbesin.

Fluturo, e mira ime!

Forca rrugës do të arrijë.

Për lirinë kij pretendime.

Është në rrugë dhe shpejt do t’vijë.

Mos u dridh si flutur nate.

Mos kërko dritë n’abazhur.

Aty afër po s’më pate,

Ajo dritë s’do t’ndizet kurrë.

Retë u ngrysën, shi do t’bjerë,

Befas pret diçka të ndodhë.

Krahë të qullura nga lotët,

M’i than era, mos u lodh.

Fluturo, e shtrenjta ime!

Fluturo pa dalë nga vetja!

Mos i shkul ca ëndërrime,

Janë si ujët kur t’merr etja.

Këtu pranë teje, sa kam jetë,

Kurrë s’e paskam vënë re.

Më beso një të vërtetë:

Universi jemi ne.

About Post Author