Vaso Papaj-Ëngjëlli im


Ëngjëlli im

E ç’emocion provoja, kur ti në krahë më ngrije.

Aroma jote nënë, thesar i rrallë në botë.

Si prehesha aq thellë, në sytë e tu plot hije,

Në mëndje të ngulitur, të gjall’ e kam dhe sot.

Në dimrat e pafund, n’atë bodrum me cikma,

Gëzime, hidhërime m’i shihje thellë tek sytë.

E nëse qielli i egër lëshonte zjarr dhe klithma,

Në shtratin tënd të ngroht’, me gaz më fusje zhyt.

Ma kishe bër’ zakon, të zgjohesha me gjelat,

Të përsëritja lëndët e ditës në vijim.

Më rrije përmbi kokë, më krihje kaçurrelat

E m’dukeshe gjithmon’ si ëngjëll në fluturim.

Në ndihmë të cilitdo të shihja, nëna ime.

Rrugicës sonë të shtrenjtë i falje dashuri.

Kalove kohë të errta, mëngjese pa agime.

Më shumë se ëndërra moshe, ti njohe pleqëri.

Të rrinin syt’ andej, rrugicës nga ku vija.

Sa shumë e dëshiroje të isha unë dikush.

Kur koha më largoi me vite nga shtëpia,

Me letra të melhemta plot një sirtar m’u mbush.

Po sot atë sirtar me çelës e kam mbyll.

Nuk dua që fëmijët të kthehen tek e vjetra.

Kur portat na i mbyllën, me nga një vulë në dyll

Dhe unë vajtoja gjatë nga njëra port’ te tjetra.

Nuk dua të të kujtoj si ëngjëll në lartësi.

Nuk dua të të shoh me thinja, me të zezë.

Fotografinë e vajzërisë e mbaj mbi skrivani.

Mirësi më jep dhe forcë, motiv që më sjell shpresë.

Prandaj, ngado që shkoj, të ndjej si shpresë.

Ti ëngjëll më qëndron mbi kokë gjithnji.

Kështu do të mbaj mënd, gjer ditën që do t’vdes

O këngë e jetës sime, ninull plot mirësi.

About Post Author