Vaso Papaj-Flakë e re-oxhak i vjetër


Flakë e re-oxhak i vjetër

(Në kujtesë të atij, ditën kur iku)

Rrall’ në botë kam patur tjetër,

Kaq të dashur sa babai.

Flakë e re-oxhak i vjetër,

Bashkë me të shumë vite ndaj.

Ëndrrimtar edhe syhapur,

Forcë e tij ish urtësia.

Amanet prej tij kam patur:

“Ruhu nga makutëria!”

Sytë e tij qenë mirësia,

Në ta strukur sa kujtime.

Jetë më t’bardhë se bardhësia

Dhe pse mbushur me privime.

Dallgë e kohës më vjen rrotull,

Ka që lindin, ka që shuhen.

Me ca fjalë të tij s’jam ngopur:

“Bëji njerzit që të duhen!”

Shënjti im, të përgjërohem!

Jam si ty, nuk tjetërsohem!

Gjakun tënd e kam ndër vena,

Zemra ime të ka brenda.