Vaso Papaj-Jemi fqinjë, Mira Stankoviç?


A jemi fqinjë, Mira Stankoviç?.

( poemth )

Mira Stankoviç, Shkup,

Në “Restorant Piza” atë natë,

E solli rasti të jemi sup më sup.

Unë të përshëndeta e ti s’u ndjeve hiç.

Dhe pse ishim ulur mes fëmijëve tanë,

Ti më pe shtrembër, skiç,

Mira Stankoviç.

Rronim a s’rronim të dy në Ballkan!…

Qe hera e parë, që ulesha me ty:

Vëmendjen e kisha aty…

Befas, përballë, te muri i bardhë,

Brenda një kornize:

Torra e Pizës ma bëri me sy.

Ah, Torra e Pizës…

Rrënjështrëmbëra brenda kornizës…

Mira Stankoviç!

Ti vije nga një kryeqytet i madh,

Unë nga një qytet antik.

E njeh Dyrrahun, me detin si livadh?…

I lakmuar në shekuj .

Edhe nga Danubi kishin zbritur një ditë.

Dhe sa herë kështu,

Qyteti im mbyllte koracën si iriq.

Kohën e iriqit jetonte,

Dhe për të mbërritur gjer këtu,

Zotin, vallet, këngët,

Gjuhën e vet mbronte.

Mira Stankoviç!

Na ka ngulur fati të rrojmë pranë.

S’ësht’ çudi,

Nesër të duheshin fëmijët tanë.

Çdo të bënim unë dhe ti?…

Ti, kryq floriri në qafë.

Unë, në gjoks, s’kisha gjë hiç,

Mira Stankoviç.

Ma kish mësuar Ai, Krishti vet:

Ta mbaja, brënda, në zemër

Dhe në mëndje të kisha

Një tjetër:

Atë, të vërtetin

Prej druri të vjetër.

Në Golgotë jam ngjitur në shekuj.

Kurrizin me gunga e kam.

Kurrize të tjerë nuk kam prekur.

Të parët e mi qëndresë e paqë më dhanë.

Vij nga një qytet antik,

E di?… E njeh?… Jo?!…

Atëherë pse takohemi:

Fëmijët duan lodra, këngë , valle.

Mjaft me halle!

Pyete zemrën?…

Mos më shih shtrembër,

Mos më shih skiç.

Jam këtu, shekuj, shekuj…

A jemi fqinjë, Mira Stankoviç?…

About Post Author