Vaso Papaj-Kurrë fjalë, fjalë në erë…


Vaso Papaj

  · 

Kurrë fjalë, fjalë në erë…

S’do të rendis kurrë fjalë, fjalë,

që askush të mos kuptojë asgjë.

Dua njerëzve mendimet t’ua fal.

T’ua prek shqetësimet një nga një.

T’ua shkrij krahërorët nga ftoma

dhe zemrat dridhur nga tërmeti.

T’’i shoh me libra në dorë akoma.

Mjaft me baret, shoqëri interneti.

Flokët aromën e qumshtit u kanë,

tek mjelin livadheve delet.

Kafshim harbimesh njolla-nishan,

sapo dalin pa drojë nga motelet.

S’ do të rendis kurrë fjalë në erë,

që askush të mos kuptojë asgjë.

“Shqypnin“ e Vaso Pashës s’e fal asnjëher’.

Migjenin s’e ndërroj me asnjë.

Nolin, Naimin kurr’ s’i kam ndarë,

Fishta nga lart më vrojton.

S’ dua të bëhem kurrë ledhatar,

po Mjeda më jep emocion.

Më kan’ humbur fjalët shpesh herë,

kur emri atdhe s’ka qen’ fjalë e parë .

Kan’ ngrirë të pajetë në ajrin eter,

veç tyre nuk vë kënd në altar.

Këndoj në kioska, në udhë ku të mund,

mes njerëzish me sy ëndrrimtarë,

po këndoj dhe Sheratonëve pafund,

dhe pse zemra të ndjejnë atje nuk kam parë

S’do t’këndoj kurrë, se duhet kënduar…

Ato këng’ s’i dëgjon, s’i kupton asnjeri.

Poradeci më sjell një nosit të plaguar.

Kam qarë me të që kur isha fëmijë.

S’do të rendis kurrë fjalë, fjalë në erë,

që askush të mos mësojë asgjë.

Fjalët plumba i kam sot e përherë.

Se robër në paqë, nuk dua asnjë.

About Post Author