Vaso Papaj: Një burrë, edhe një grua


Vaso Papaj

Një burrë, edhe një grua

Një burrë, edhe një grua,

Njëri ulur, tjetra në këmbë.

Njëri, ishte mishrashkulur,

Tjetra kurrizdalë, padhëmbë…

E në mes kazanë plehrash,

E vetmja lumturi që u dhëmb.

Një burrë, edhe një grua.

Gati urrejtja, bam, të shtijë.

Nata gjer në kockë i ftohu…

Oh, ç’dëgjojnë veshët e mi!…

“Gungaçeee, lër kazanë, qërrohu!…”

“N’atë botë do i marrçë, o i zi?…”

Një burrë, edhe një grua,

Njerëz që kurrë nuk prehen.

Për ata s’pyet njeri.

Kocka mbi plastmasë u shkrehen.

S’kanë atdhe, as natë, as ditë…

Uria seç i bën t’urrehen…

Një burrë, edhe një grua

Dhe kazanë plehrash në mes…

Duhma bajate e natës

S’po më thotë as mirëmëngjes.

About Post Author