Një dimër mes dimrash
Secili ka në mendje një dimër që s’harrohet,
Kështu e kam dhe unë një si kujtim.
Në këmbë ai, mes librash rri, shtrëngohet
E s’do më vinte mirë, ta shihja si jetim.
Ndaj dhe një ditë, si një udhëtar i mirë,
Që nuk le vend pa shkuar e pa parë,
U ktheva prap atje, tek koha e vështirë:
Të bëjë shoqëri me të, përkulur në altar.
I hoqa, rrotull tij, lëpirës, gënjeshtarë.
Ngjitur e shtrënguar, harruar prej kritikës.
Dhe poezi i solla, ta mbanin ëndrrimtar.
Me to të dashurohej pa frikë të polemikës…
Ishin kohë të tjera, e keqja s’kish të sosur.
T’ia thuash këtë rinisë, as nuk të beson.
Njëzet vjet në oxhak, kish mbetur i murosur.
E prapë, sesi me shkas, burgheshtja e rrethon…
Ah, piramidë e vjetër, sa vështirë të shembet!
Idhujt janë idhuj, rrojnë gjatë për inerci.
Po koha, kjo gjykatëse, që askujt s’i trembet,
Dimrin tim një ditë do t’nxjerrë nga kjo qeli…
