Vaso Papaj-Titina


Vaso Papaj

Titina

Të pashë, Titinë në dhè të huaj,

Në trotuar shpejtonim.

E s’na u duk se qemë harruar,

Aq sa të mos ndalonim.

S’ishe Titina, si më parë.

Sa shumë kishe ndryshuar,

Nga dita kur një djalë i mbarë,

Dorën ta kish kërkuar.

Dikur na kishte zënë qymyri,

Një tramundanë na ndau.

Qymyri ynë ishte si pluhuri,

Në fusha e dete shkau.

Kur ike, dorën si zhapi,

Nga ty mora kujtim.

Të shkretën time biografi,

Ta kishin dhënë me shkrim.

Nga ty Titinë, pak kishte mbetur,

Një dritë në fund të syve.

Të kuqet faqe ishin tretur,

Ç’ habi na zu të dyve.

Ajo pak dritë në trotuar

Ish gati të më gozhdonte.

Ti me fëmijë, unë me fëmijë,

Kjo gjë tashmë nuk shkonte.

About Post Author