Vaso Papaj-Vargje lakuriq


Vaso Papaj

Vargje lakuriq

Dikur heshtja të kish mbyllur kufijtë, “çështje vize”,

Por prapë, kurrë s’u ndodhe mes hiçit, kuturu.

S’u bëre kurrë buratin lidhur brenda një kornize.

Shtëpia e poetit, ka qenë e do të mbetet qielli blu.

Me rok ngjizur lindën këto vargje, mbi tastjerë,

Ngrohur në të ftohtët e kasolleve me qiell eternit.

Shpërthyen bravat e godinave veshur në mermer

E prekën zemra njerëzish që kërkonin vetëm dritë.

E këto vargje ngjanin me rok-un, s’kishin shtrat,

Binin, ngriheshin: natën, ditën, në çdo stinë.

S’kish rëndësi në ç’vend: rrogoz, mëndafsh a baltë.

Edhe në s’deshe, erdhën dhe ta morën qetësinë.

Si rok-u shtriqën të sinqertë dhe mbi tryeza Bari.

U ngjanin kërcimtarëve striptizë që mijëra sy përpijnë.

Janë vargje lakuriq, që prekin zemrat për së mbari,

Sa, edhe të lodhur, me nerv ulërijnë për drejtësinë.

Një kafe, buzë rruge. Kalojnë me mijëra sy e veshë.

E ti je dehur krejt, ashtu siç dehesh me polifoninë.

Këto kohë ëndrrash, rok e poezi me vete do t’i kesh

Dhe si përçartje nate, vet natës do t’i falin dashurinë.

About Post Author