Vaso Papaj-Zonjushë e përjetshme


Zonjushë e përjetshme

(Musine Kokalarit dhe jo vetëm)

Vetëm nga një fjalë e jotja

Ndjej pavlefshmërinë time, mike.

Se je befasia e vendit tim,

Ngjan me një perrì antike.

Dhe me tënden mençuri, pyes:

Përse zemrën dot s’ta shembën,

Kur vlerësoje ligjin e frymëmarrjes,

Për të shkruar fjalën liri,

kurrë s’të trembën?

Pak fjalë të tuat

Dhe më bëhet sikur jetoj një përrallë.

Bota më zbulon motivin e saj rastësor,

Magjinë e pashpjegueshme të të qenit i gjallë.

Kur fole, shkrove

Dhe sfilonin buzëqeshjet

Mes dhëmbëve të bukur,

Zonjushë e përjetshme, më mbete pranë

Duke ëndërruar me sytë pa lot.

Dinjiteti i kishte shkundur.

Si jehonë më arrijnë fjalët e tua.

Më sjellin Koloseun e mbijetesës:

Të rrosh a mos të rrosh dhe si?!

Shtëpinë e dijes “La Sapienza”*.

E vetmja, e jotja dashuri…

Dhe shëtitoren e Rrëshenit,

Ku askush veç vrundullit të erës

Rrotull nuk të gjindej.

Kalldrëmet e qytetit jugor,

Ku përjetësia me vdekje lindej.

Edhe një rresht tëndin…

Pres që ligjërata të mbarojë

Dhe gëzimi për të jetuar të më rrëmbejë

E gjer në pambarim të më dërgojë.

Vetëm një fjalë e jotja

Dhe mësoj se ndodhemi në histori

Si një çrregullsi e shtrënguar fort te kujtimi,

Për të mësuar mirë,

Se ç’do të thotë, për njeriun, mundimi.

Përsëri, vetëm një fjalë e jotja

Dhe më zhvishet nga retë mbrëmja.

Është mrekulli, që ne jemi akoma

Dhe ti, shpresoj më në fund,

Të kesh shpëtuar, atje, përtej, nga ftoma.

Dhe vazhdoj të lexoj

Magjitë e fatit, absurditetet e kohës,

Mes telave me gjemba

Dhe telave të një çiftelie.

Dhe hamendësohem,

Nëse e kemi kapur ëndrrën tënde të hershne

Për një grimë të vërtetë lirie.

Ndaj, do të të thoja, Zonjushë e përjetshme,

Se do të vazhdoj t’i ndjej rrahjet e zemrës tënde

Brenda simes edhe më të thekshme.

•Universiteti në Romë ku Musine Kokalari

përmbushi studimet e larta me rezultate maksimal