Zot, je akoma mbi qytet?…
Çngjyroset nata si një albatros gjigant
E vidhet ngadalë me flatra
përgjatë Autostradës.
Po zbehen si me drojë
sytë e verdhë të shumkatsheve,
Ngordhin dritat e përkulura të rrugëve,
të lodhura nga puna e natës.
Si pelikan i pangopur zbriti agimi
në këtë qytet të rrëmujtë.
Po ky qytet s’është më i imi
është i të gjithëve dhe i askujt.
Ndoshta nga taracat e kateve shtatëmbëdhjetë,
me kopshte si parajsa vet,
Ka mbetur, në një qoshe Zoti e na shikon.
S’e di, ndoshta dhe na përgjon,..
E di Ai, që në këto rrugë, qielli nuk shihet më?!…
Do të jetë e fundit vepër arti modern,
Paraja mbyt lirinë… Edhe qiellin e rrëmben…
Ç’e harxhova ditën sot si një monedhë kusuri!
Pesëdhjet lekë një gazetë:
Merre, palose dhe fute nën xhaketë.
Ndërsa qyteti i të gjithëve dhe i askujt, vërtet,
nën smog me shpejtësi po humbet.
Ndaj unë pyes:
Zot, a je akoma mbi qytet?…
Zbrit, sonte dua të të takoj.
Tek Bari i lagjes,
në qoftë kësmet!
Tek bangot e vjetra gjysmëbosh,
që ke frikë t’i vështrosh.
Mos druaj, nuk loz bixhoz!
Vetëm një raki,
me speca, me domate, me turshi.
Sa keq më vjen të të them,
kështu esëll: Jam i lodhur, Zot!
S’kam më fuqi!
