Agustin
Agustin!
Katër mure , mik me hiçin, në një odë me lagështinë,
Bora hesht, bora rëndon, mbi pullaz zgërlaq çatinë.
Nga poshtë dheu e rrëmben, po e çon nëpër rëpinë,
Agustiin.
Agustin!
Një e çarë aty në mur, nga lart poshtë si shkarravinë.
Muri pis, dërrasë e zezë dhe ti vetëm psherëtin,
Por mbi kryq Krisht i gozhduar, sikur të largon vetminë,
Agustin.
Agustin!
Sonte ma rrëmbeve gjumin, ma afrove Perëndinë,
Që kur the me sy të shuar: “E lashë shkollën”, malet nxinë.
Qiellin zura me duar, gozhdët duke i kërkuar, shpalla zinë,
Agustin.
Agustin!
Pse në fshat rri i gozhduar, si një Krisht në Dukagjin?
Kush aq fort të ka ngujuar, humbur librat, dashurinë?
As trumcakë s’kanë cicëruar, ngrirë e tharë përmbi qershinë,
Agustin.
Agustin!
I harruar në shpat mali, një qen vetëm angullin.
Çantën shohin sytë e shkruar, në gozhdë varur, Krishti fqinj.
Gozhdë që kurrë nuk u mbaruar, duar shpuan, zemra ngrinë,
Agustin.
