Bilanc
( Vetes )
N’atë Janar të largët të pasluftës,
Me erën e barutit nëpër mure.
Me shpresën: (Për një botë “ të re “,
Vjeshtë e dimër më mos të ketë.)
Ngazëllimi i babait tënd,
Kur i dhanë lajmin:
“Djalë!… Djalë!…Të të rrojë për jetë!…”
E koha shkoi.
Ç’bilance bëre? Ç’ projekte, ditë e netë?…
Ti qe një llogari e hapur, pambarim.
(Në një bllok pa fletë)
Një përpjekje dhe një mundim,
Por mbi të gjitha lumturi, gëzim.
Se duart të mbetën të pastra,
Pa e patur të lehtë.
Djersitën e u dërmuan
Në dy shekuj jetë.
