Vaso Papaj
Elez

(Elegji)
Në një fjetore aksionistësh bosh, të pashë për herë të parë,
Netëve pafund, kur me mushkonjat i humbnim betejat, Elez.
Kur i kyçja ato net dhe me lopatë nisja një tjetër ditë në arë
Ndërsa ti flije-flije, i zhytur në atë gjysmë-gjumi-harresë.
Nga përtej klonit kishe ardh, të gjeje më të madhen dashuri.
Unë nga Fakulteti i Shkencave në ditët më të zeza, pa shpresë.
“Oj nanë, oj nanë!”, përçartje tërë natën një dhimbje-potpuri
E unë ikja në agim i dëshpëruar pa të thënë as mirëmëngjes.
Magaze qe, me shtretër dykatësh, që ngjanin skelete druri.
Në vetmi kaluam, me një stinë të vdekur vjeshte në mes.
Me ata dyshekë kashte në brinjë, si të jetonim në epokë guri,
Na mbrojti heshtja nga sy e vesh që përgjonin në çdo kthesë.
Një fjalë s’the për Prizrenin, as un’ për Durrësin s’thash’ gjë.
Gjithë herët s’ua ndaje sytë… Tufa kalamajsh veshur me cule.
Nën batanije zhyteshe si meit, as diellin s’doje ta shihje më,
Po ishte mensa… Do takoje çajin me klor o pilafin me fasule.
E s’mbaroi me kaq… Një ditë. Një GAZ 69… Befas ca hapa…
Rreth duarve të brishta, ca pranga, për dashurinë shpërblim.
Si një deng vjetërsirash të hodhën në sediljet e tij nga prapa
E s’të pashë më. “Në emër të popullit” kishin marrë vendim.
Dhe kloni ra një ditë… Renda. Një frymë dhe drejt Prizrenit.
Po vite kishin shkuar. S’të gjeta. Kot. Rrëmova sa atje, këtu
Desha të kërkoja ndjesë për heshtjen ndaj Zenelit të Migjenit.
Po fati të kish çuar nën dhè, po as aty s’munda të të gjej se ku.