Vaso Papaj:Koka e kalit


Vaso Papaj:Koka e kalit*

Ngado që shkoj, ngado që vete,
Një kokë kali më ndjek nga pas;
Çoku sajon ca marifete,
Herë me inat, herë dhe me gaz.

Kam bërë gjithçka që ta harroj,
Po ajo kokë veç më frenon.
Bëj ta godas, ta asgjësoj,
Po ajo shtrigë seç më dredhon.

Ngado që hyj, ngado që dal,
Koka e kalit më del përpara.
Edhe në ëndërr, pa thënë një fjalë.
S’më lë të shkojë kurrë nga e mbara

Me grusht të fort bëj ta godas,
Po kam goditur shtratin – dërrasë
E dal nga ëndërra edhe thërras,
Se dorën time vetëm vras.

Dhe ulëras dhe ulëras
E s’bëj gjë tjetër, veç ulëras…

*Në vijim te idesë së filmit “Vdekja e kalit”,
personazhi kryesor i të cilit, pasi kalon kalvarin
e burgut në sistemin monist, pëson zhgënjim të
plotë nga pluralizmi, kur konstaton se po ata që
e dënuan, po ata vazhdojnë të kenë në dorë fatin
e tij

About Post Author