Vaso Papaj:Në sheshin “Liria”


Vaso Papaj

Në sheshin “Liria”

Këmbëkryq është ulur janari.
Cingërima në dhomë mbretëron.
Shi i imët lëpihet tek xhami,
Mugëtirën më shumë ma verbon.

Sa keq, kur je vetëm në dimër,
Pranvera akoma është larg.
Ndaj e pres një trokitje të çiltër
E të ndjej një buzëqeshje në prag.

E rri të shoh teksa ti më kthehesh.
Në mes e ke lënë leksionin e fundit.
Kur të puth, më e lehtë sikur ndjehesh,
Ndonëse qartë duken gjurmët e mundit.

“Qenke lodhur, zemër. Pse sytë e fryer?
Mirë e kalove sot në mësim?
Lëri të gjitha, të marrim pak frymë.
Në sheshi “Liria” ka ajër për ne, dëfrim.

Ky shiu e bën gjithçka vija – vija.
Pesë hapa në këmbë, shkojmë e vijmë.
Të shohim pak det, t’na ikë ca vetmia.
Ngutesh dhe thua: “Po vij, shpirti im.”

Po mbrëmja prapë te dhoma na pret.
S’durojmë trokëllima rrugëve bosh.
“A s’kthejmë paksa në “supermarket”?
Në mëngjes, e di? Janë të mirë dy “briosh”.”

Më pëlqen me përparësen në mes.
Nis betejën me pluhurat dy gisht.
“Leri shpirt, do të vijë prapë mëngjes.
S’di pse sonte më dukesh e brishtë!…”

E zë vend si princeshë mbi divan.
“Xhulja Roberts, ja shihe si qesh.”
E sa herë që kthen kokën mënjanë,
“Ke syt’ e fryer”, të them m’u në vesh.

“A je mirë? Do të flemë? Gjumë të ëmbël!”
Në sheshin “Liria”, vetëtin, bubullin.
“Do të shihemi sonte në ëndërr…
Të pëlqen? Ta prekim në gjumë dashurinë

About Post Author