Vaso Papaj:Njeri i bukur


Njeri i bukur

Si duket,

Të takon ty të kujdesesh për ditët e mia.

Të më zgjosh me një kafè

Të më zgjidhësh

Pikëpyetjet që kam përbrenda

E të më thuash: mos u plaksh kurrë.

Të më përzësh trishtimin armik,

Që më rreh në mendje si tambur.

Si duket,

Më takon dhe mua, i përvuajtur në vite,

Si ithtar, për ndryshim i etur,

Të bëj çfarë s’mundem për të mos vdekur.

Gjer tek më e madhja:

Të të besoj, pafundsisht të të besoj.

Zemrën të të dorëzoj,

Që dhembja kurrë

Mos mund t’a pushtojë.

Si duket,

Më takon po mua e gjithë lumturia jote.

Ashtu si ty lumturia ime.

Po ta arrij, s’ngutem.

Pse ta fsheh!?

Për këtë,

Gjer Zotit do t’i lutem:

Nesër, pasnesër, tjetërpasnesër

E prapë nesër, e prapë pasnesër.

Dhe,

Unë si një hije do të të ndjek.

Armë kam të madhen dhëmbshuri

Dhe s’do të të zhgënjej,

Do të jem ashtu si më do ti.

Do të kthehem,

Si një herë e një kohë:

Hamall, mekanik…

Në rast nevoje do t’i provoj përsëri.

Le të më kthenin përsëri armik.

Asgjë s’më tremb,

Nëse matem me dashurinë për liri.

Do t’ia arrij, ta dish,

Do t’ia arrij.

Atëherë, në sy do të të shihja pa u skuqur.

Dhe veç atëherë do të isha njeri,

I bukur.

About Post Author