Vaso Papaj:Nomadë të dashurisë


Nomadë të dashurisë

Sa zhytet dielli, ti vjen më kërkon

E dorë më dorë më shumë të ndjej.

Vallë nga i merr ato fjalë që më kon?…

Sa shumë mundohem e nuk po e gjej…

Ne si nomadë shkretirash ngjajmë,

Humbur rrugëve të qytetit

Dhe si dy shpirtra frymën ndajmë,

Mes ëndërrës dhe realitetit.

Dhe kohën vrasim, oaze kërkojmë,

Qoft net pa gjumë në qiell të hapur.

Atje ku duam, kurrë s’përfundojmë,

Se Zonjën Liri prapë e kanë kapur.

Lirinë gabele me ngjyra – ngjyra.

A ka vallë liri me xhepa bosh?!…

Lirinë që paska aq shumë fytyra,

Lirinë që qenka veç për kodosh.

E prapë, nomadë të dashurisë ne jemi,

Udhëtarë që çajnë në çdo tallaz.

Ndërmend të ndalim, kurrë nuk kemi,

Rebeles erë i shkojmë nga pas.

About Post Author