Vaso Papaj:Poezia ime


Poezia ime

Me det e ngjyer, flladitur me këngë ledhatare,

E imja tokë, e dashura e diellit, tokë ullinjsh,

Që më gostit ngahera peshq të freskët zgare

Restoranteve luksozë rrethuar nga droja e urisë.

Ky qytet u mbetet në zemër tërë atyre

Që për një ëndërr të vjetër e braktisin.

Pëllëmbë dhe kafe, bingo, lodra fati a mynxyre,

Lenë pas prapë ëndrra, që veç xhepa boshatisin.

Qytet poetësh të papunë, të ngeshëm,

Kudo me role të pafundë llustraxhinjsh.

Qytet ku Ramazan qoftë apo dhe Kreshëm,

Përqafohen xhybe hoxhallarësh, raso priftërinjsh.

Këtu janë parë dhe italianë dhe grekë,

Janë parë së fundi turq edhe kinezë.

Këtu e kanë gjetur dashurinë e vërtetë

Dhe e kanë bërë këtë tokë të lashtë të tyren pjesë.

U mbetet në zemër qyteti im antik,

Tërë atyre që ikin kontinenteve të largët

Se është, pa shaka, qyteti më magjik,

Pa të cilin, ata do të ndiheshin njerëz të mangët.

Ç’ngushëllim, kur u arrin një poezi e imja në “Iphone”.

Një këngë në “you tube” i sjell këtu, “Te ura e Shijakut”.

Kthyer nga deti (besoj), imagjinojnë së largu një ballkon

E padashur, nis u çorientohet gjer edhe tensioni i gjakut.

Kështu pra…

Poezia ime më shumë se kaq s’kërkon:

Të mbetet si grua e virtytshme që dhuron veç emocion,

Që jetën tënde, sapo lind e gjersa vdes, e lumturon.

About Post Author