Vaso Papaj:Pyetje…


Pyetje…

Dita që kalon, s’di sepse,

Më ngjan me një dallëndyshe.

Rri varur rrezeve të diellit

Dhe në ballkon, në një qoshe,

Seç ndërton, një fole ndryshe,

Me petale lulesh shumëngjyrëshe.

Unë jam dhëndër akoma

Dhe ti akoma nuse.

Ndonëse jashtë dritares

Ngre vellon vetëm pluhuri,

Po ajri s’vjen erë furtune

Më vjen erë gushe.

Si duket, ne të dy jetojmë në një planet tjetër,

Të largët.

Nga ku bota ngjan vetëm një sqimatare

E mangët.

Ku të gjithë duan gjithçka dhe pastaj vënë re

Që ajo s’është asgjë

Për ata dhe për ne.

Po ne s’do të bëjmë si gjithë njerëzit e tjerë.

Ndryshe kemi qenë, që kur kemi lerë.

Ndaj këto vite do të mbesin përgjithmonë

Vitet më të mirë të jetës sonë.

Shtrëngomë fort, pra

Dhe asnjë natë nuk do të jetë e pafund.

Do të vijë agimi,… ja

Dhe dritë e tij do të lindë më në fund.

Sa kotësi do të ishte

Të qëndronim në errësirë,

Heshtur, në delir të përqafuar,

Si luftëtarë të një beteje

Që flamuj valëvitin nëpër duar.

Të fituar a të humbur,

Si të shpëtuarit e fundit gjallë,

Të zbulojmë se kurrë nuk jemi mundur,

Cilindo të kishim përballë.

Kjo, a nuk tregon

Se ky trishtim s’i ka prangosur kurrë

Vitet më të mirë të jetës sonë?

About Post Author