Vaso Papaj:Qytet i thinjur


Vaso Papaj

Qytet i thinjur

Vjosë e qetë, Vjosë e tërbuar,

Nuk më mban dot më pranguar.

Lamtumirë, Përmet i thinjur!

Po iki nga ty panginjur.

Lamtumirë! S’di ç’do të mbesë!?

Një rrugë bosh, rrugë e pashpresë.

Tek faqja një shenjë e bukur.

Trëndafil buzësh i purpurt.

Dhe ikën taksia, ikën…

Tymi i saj më ndjek tërë ditën.

Këngë rrotash gjallojnë dritën,

Qiriun që më ndjek s’ma fikën.

Lamtumirë! Do t’më kërkosh,

Do të qash, do të vraposh.

Trokëllimë në rrugën bosh,

Të dhemb shpirti ta dëgjosh…

Dhe taksia e pluhrosur,

Si një breshkë e hardallosur.

Valixhe mbi skarë stivosur.

Shpresa brenda, e plagosur.

Lamtumirë! Më s’do të kthehem.

Në mes dhimbjes, klithmë ndjehem.

Shtrëngoj dhëmbët, shtrëngoj lotët,

Po s’bëj dot, s’jam nga të fortët.

Dhe taksia ikën, ikën…

Tym e pluhur merr përsipër.

Grushta nderur, grushta ngritur.

Grushta që më lanë t’uritur.

Lamtumirë, Përmet me derte!

Nuk do le pa marrë me vete,

Një kujtim të trishtë si shiun,

Të më ngjallë Laver Bariun.

Ikën larg taksia, ikën…

Ti tashmë më ngjan me pikën.

S’e harroj atë të puthur.

Lamtumirë, Përmet i bukur!

About Post Author