Vaso Papaj:Sinqerisht…


Sinqerisht…

Sinqerisht…

I nisëm përsëri bisedat e dhimbjes sonte.

Pranë njëri tjetrit. Ato do të kalojnë si retë.

Pas shiut, një rreze dielli do të na mjaftonte.

Dashuritë provohen, në të përpjetë e tatëpjetë…

Sinqerisht …

Thuam, kush e qetësoi për ty detin e vdekjes?

Kush tjetër ndezi hëna e yje nëpër net?…

Ishin gishtat që dridheshin nga magjia e prekjes.

E kjo s’do të kish të sosur, tërë një jetë…

Sinqerisht …

Përse, tërë kohës krahut tim s’m’u shqite,

Kur betejave të humbura në kalendar u ktheja fletë?

Ishe ti, që me një puthje trishtimin ma fashite,

Ti, që më ktheve befas buzëqeshjen e vërtetë.

Ndaj, sinqerisht…

S’trembemi dhe nëse ters na shkon “një nesër”.

Do të marrim trastat në kurriz dhe do të shkojmë.

S’do t’donim kurrë që fati ynë të varej nga një tesër.

Ç’të bëjmë?! Tangenteve fatale të botës do t’qëndrojmë.

About Post Author