Vaso Papaj:S’ke pse pyet


Vaso Papaj

Pyete frëngjin, e të vetmes dhomë ku rrinim,
Atje ku dashuri dhe lumturi për jetë ngjitën.
Atje ku rreze dielli tek ne kurrë s’arrinin.
Pyet dhe vet errësirën pse natë s’e bëri ditën.

E sot, pyet netët pa gjumë nga dritat e zjarrta,
Që vijnë nga tragetet, në kërkim të ëndrrës.
Pyet dhe mëndjen: pse s’i shqitet ferri nga parajsa,
As ëngjëj e djaj, me heshtjen kujë të zhgjëndrrës.

Ndaj s’ke pse pyet detin sesi i kaloja dallgët.
S’ke pse pyet as lumin pse çurkë më shkonin lotët.
S’ke pse pyet dhe qiellin përse më ish i mangët.
Se sa të jemi bashkë, s’kanë ç’na bëjnë të fortët.

About Post Author