Vaso Papaj
Udha e zgjimit
Grushtin e poetit e ngre në kupë të qiellit.
S’pyes për stuhi kozmike, as për flakë të diellit.
Dashurinë kam yllin ëndërr, nënë të sakrificës.
Për këtë, shkëmb do të bëhem, ballë flakës dhe ngricës.
Të të ruaj nga ky kaos, ta zhvesh nga mashtrimet.
Të të mbroj nga ankthet zemër, po dhe nga trishtimet.
Ëndrrimtar sy hapur jam, terrin çaj, të natës.
Përqafimi më jep forcë për t’ia dalë shtërgatës.
Dashuria e pafund, veç më nxit besimin.
Të fitojmë kundër urrejtjes, të mundim zhgënjimin.
Mos ia kij frikën askujt, as netëve t’acarta.
Do t’i thaj lotët përherë veç me puthje të zjarrta.
Ta kalojmë bashkë këtë udhë, këtë udhë të zgjimit.
Pa u ndarë le të nxitojmë, të vijë fundi i dimrit.
Të mbërdhijë nata e gjatë, të afrojë pranvera.
Në det ta varrosim terrin, ta thëthijë humnera.
E të jemi porsi drita, që ndezur mban shpresën.
Përqafimin kemi forcë, ndihm’ të marrim kthesën.
Dashurinë kam yllin ëndërr, nënë të sakrificës.
Për këtë, shkëmb do të bëhem, ballë zjarrit dhe ngricës.
